Hita: Policia ka marrë masat për mbarëvajtjen e protestës së opozitës

TIRANË, 7 maj /ATSH/ Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita deklaroi sot se strukturat policore kanë marrë të gjitha masat për garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë protestës së opozitës që do të zhvillohet nesër në Tiranë.
Në një deklaratë për mediet, Hita u shpreh se Policia e Shtetit është angazhuar për zhvillimin normal dhe paqësor të tubimit, duke theksuar se protesta është parashikuar të mbahet në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
“Për sa i përket protestës që do të zhvillohet nesër, Policia e Shtetit ka marrë të gjitha masat që të marrë detyrimet e saj për sa i përket një proteste të qetë dhe paqësore. Kjo protestë do të zhvillohet dhe leja është kërkuar për ta bërë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe aty duhet të jetë e përqendruar”, tha ai.
Hita paralajmëroi gjithashtu se në rast të veprimeve të paligjshme nga protestuesit, strukturat e rendit do të ndërhyjnë.
“Në rast të veprimeve joligjore nga ana e protestueseve do të procedojmë në bazë të procedurave standarde dhe në bazë të ligjit dhe Kodit Penal”, tha Hita.
/m.q/j.p/r.e/