Gjykata e Lartë vendos masën “detyrim paraqitje” për ish-drejtoreshën e AKSHI-t

TIRANË, 7 maj /ATSH/ Gjykata e Lartë ndryshoi sot masën e sigurisë për ish-drejtoreshën e Agjencisë Kombëtare të Informacionit, Mirlinda Karçanaj.
Gjykata e Lartë caktoi masën e sigurisë “Detyrim paraqitjeje” dhe “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”, duke ndryshuar masën “Arrest shtëpie” të cilën e kishte caktuar Gjykata e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Karçanaj duhet të paraqitet pranë policisë gjyqësore të martën e parë dhe të tretë të çdo muaji, në orën 10:00.
Nga ana tjetër, Gjykata e Lartë la në fuqi vendimin e Apelit të GJKKO për sa i përket rekursuesve Erjon Ismaili dhe Gëzim Hoxha.
Ekzekutimi i vendimit i është ngarkuar Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
/m.q/a.f/r.e/