E Diel, 1 Nëntor 2026

Hita viziton policin e plagosur Edison Adri

TIRANË, 9 shtator /ATSH/ Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita vizitoi në banesë punonjësin e policisë Edison Adri, i cili u plagos gjatë operacionit në malin e Bodenit, në Maliq, për kapjen e një personi të kërkuar, ku humbi jetën kolegu i tij, Dëshmori i Atdheut, Enea Mekolli.

Pas përfundimit të trajtimit mjekësor në Itali, Edison Adri është kthyer në banesë, ku vijon periudhën e rikuperimit.

Drejtori i Përgjithshëm u takua me të dhe familjarët e tij, duke i përcjellë mbështetjen e Policisë së Shtetit dhe mirënjohjen për sakrificën e bërë në përmbushje të detyrës.

Gjatë vizitës, Hita u shpreh se kishte shkuar për vizitë jo vetëm në cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, por mbi të gjitha si koleg dhe si pjesë e familjes së madhe të Policisë.

Ai nënvizoi se sakrifica e Eneas, tashmë Dëshmor i Atdheut, si edhe sakrifica e Edisonit, nuk do të harroheshin kurrë.

“Jam shumë i kënaqur që sot po të shoh këtu, në shtëpinë tënde, duke u rikuperuar. E di që vuajte shumë dhe se rruga e rikuperimit kërkon kohë dhe forcë, por dua të dish se nuk je vetëm. Policia e Shtetit, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Qeveria shqiptare janë pranë teje dhe vlerësojnë e mbështesin çdo sakrificë që i shërben sundimit të ligjit”, tha ai.

Hita u shpreh se Edisoni e kishte bërë detyrën e tij dhe se tashmë ishte detyrë e tyre që të vijonin të ishin pranë tij në çdo kohë.

“Uroj që dita-ditës të bëhesh më mirë, të marrësh veten plotësisht dhe të rikthehesh sa më shpejt në detyrë, aty ku të presin kolegët dhe detyra në shërbim të qytetarëve”, tha ai.

Punonjësi i policisë Edison Adri e falënderoi Hitën për vizitën dhe mbështetjen e vazhdueshme, si dhe të gjithë ata që kontribuuan për trajtimin dhe kurimin e tij jashtë shtetit.

/m.q/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›