Hofenfaimi, shansi i fundit për Ervin Skelën
E ardhmja e Ervin Skelës me Energie Kotbus do të varet nga paraqitja e sfidës së parë të vitit 2009 në Bundesligë, e vlefshme për fazën e dytë të kampionatit. Të shtunën, më 31 janar, fantazisti shqiptar dhe skuadra e drejtuar nga Bojan Prasnikar do të jenë të impenjuar në transfertën e vështirë në fushën e Hofenhaimit. Një rezultat pozitiv, përballë skuadrës surprizë në Gjermani, e cila fitoi kurorën si "Kampione e Dimrit" shihet si një hap drejt mbijetesës. Për Skelën ky takim cilësohet edhe si shansi i fundit për të bindur drejtuesit e Kotbus që t‘i rinovojnë kontratën. "Ndoshta kjo ndeshje është shansi i fundit për mesfushorin 32-vjeçar që të përfitojë një kontratë të re", theksonte sajti "sportal.de", në analizën për ekipin që renditet i treti nga fundi në Bundesligë. "Kjo është arsyeja përse Skela duhet të japë më tepër dhe të vrapojë më shumë. Trajneri Prasnikar e ka vendosur lojtarin nën presionin e publikut, duke e qortuar hapur. Gjithashtu, ai i ka dhënë edhe detyra të tjera taktike, ku shqiptari do të jetë më i pranishëm në aksionet sulmuese të Kotbus". Skela është shprehur i gatshëm të luajë me Kotbus deri në fund të karrierës, por klubi kërkon të dijë nëse më parë skuadra do të qëndrojë në elitë, për të filluar bisedimet për rinovim.