Holanda bashkë me Roben, ndaj Kamerunit
Për Holandën, ndeshja e sotme ndaj Kamerunit është thuajse një relaks. Tashmë të kualifikuar ndaj afrikanëve, “tulipanët” mund t’i lejojnë vetes edhe një barazim, ose edhe një humbje të ngushtë, për të pasur të garantuar vendin e parë. Megjithatë holandezët shikohen favoritë për triumfin final në këtë sfidë. Roben, jo në formën më të mirë për shkak të një problemi muskular, duket se do të zbresë në fushë sot. “Dua të luaj. Kam nevojë për disa minuta për të rigjetur lojën time dhe për të ndier ritmin e ndeshjeve”, tha dje Roben. Ai shtoi se “kam vuajtur shumë nga ky dëmtim. Vendimi për të luajtur nuk është përfundimtar, duhet të flas me trajnerin. Por mendoj se ndeshja me Kamerunin është ideale për rikthimin tim”. Ndërsa Uesli Shnajder është i sigurt: “Roben duhet të luajë. Nuk mund të ecim përpara pa një lojtar të këtij kalibri”. Mesfushori holandez, çelësi i lojës së “orange”, bën elozhe për shokët e skuadrës: “Van der Vart ka luajtur mirë, ashtu sikurse edhe Kajt”.
#