E Shtunë, 31 Tetor 2026

Incident në gropën e Stalinit

Christin Schmed, diplomati zviceran i cili jetoi në Shqipëri gjatë viteve 1992-1997, i ka hedhur në libër të gjitha kujtimet shqiptare. I titulluar “Shqipëri e paharrueshme”, libri është në proces botimi nga “Zenit” Tiranë 1992

I ardhur në Tiranë në verën e vitit 1992, për të hapur përfaqësinë diplomatike të Zvicrës, Christian Schmed do të përjetonte një aventurë nga ato që u ndodhin rrallë diplomatëve. Ishte një nga perëndimorët i cili erdhi në Shqipërinë që i kishte shpëtuar diktaturës e po zhytej në tranzicion.

Punoi si këshilltar i ambasadës dhe i ngarkuar me punë deri në fund të vitit 1997. Edhe pas largimit, i ruajti gjithnjë lidhjet me Shqipërinë. Këto lidhje i forcoi më tej pas daljes në pension, më 2006-n. Nga kjo kohë ka organizuar nëpër Shqipëri udhëtime me grupe gjermanësh e zviceranësh të dhënë pas turizmit botanik e kulturor, duke u zbuluar atyre anë të panjohura e joshëse të vendit. Me largimin e tij mori me vete edhe shumë kujtime. I ka hedhur të gjitha në një libër. Shqip titullohet “Shqipëri e paharrueshme”. Libri i përkthyer nga Dashamira Elezi është në proces botimi nga shtëpia botuese “Zenit”. Schmed i qaset ditëve të para në Tiranë, ditët në një shtëpi të ftohtë, peizazhit shqiptar, por edhe ngjarjeve politike. Më poshtë po shkëpusim disa fragmente nga kujtimet e qëndrimit në Tiranë të Schmed.

Rrezik i paparashikuar

Patëm fat e gjetëm një ndërtesë të vogël, të bukur, në Rrugë të Elbasanit, për ta marrë me qira për zyra. Duke qenë se ishte e pabanuar prej disa kohësh dhe disi e lënë pas dore, ajo kish nevojë për riparime. Ishim të interesuar që punimet të mbaronin sa më shpejt, që ta hapnim përfaqësinë e të fillonim punë për së mbari në zyra, prandaj pajtuam menjëherë një firmë ndërtimi.

Po mbaronte një ditë pune e gjatë, e lodhshme, e ngarkuar me lloj-lloj telashesh e yçklash prej atyre që nuk gjenden në axhendën e diplomatëve në kryeqytetet e mëdha, ku ambasadat janë hapur prej kohësh e gjithçka është e gatshme. Si mirënjohje për punën e mirë të ustallarëve që bënin ndreqjet e ndërtesës, duke jetuar aty ku punonin, kthyem së bashku nga një gotë. Muhabeti na shkoi fjollë dhe kështu u zgjat paksa. Ndoshta ngaqë kisha ardhur pak në qejf apo thjesht sepse ndihesha në formë për të ecur në ajër të pastër, vendosa të kthehesha në këmbë. Në atë kohë banoja në një rrugë paralel me Rrugën e Kavajës. Nga Rruga e Elbasanit i rashë para hotel Dajtit – streha ime e parë për katër javë mbas mbërritjes në Shqipëri – në drejtim të sheshit qendror. Ishte mbrëmje dhjetori, me shi e me erë të ftohtë dhe me pak gjind nëpër rrugë. Për më tepër, me një nga ato ndërprerjet e shumta të dritave. Një llambë e vogël nuk ndriçonte kund, errësirë e plotë. Për fat të mirë e dija me përafërsi ku ishin pusetat, të cilat jo rrallë s’kishin pllaka. Po sa para bën! Shoqëria ishte në lëvizje, ndodhnin përditë ngjarje që lidheshin me ndërrimin e sistemit politik dhe unë s’kisha marrë vesh për heqjen e Stalinit, më saktë të shtatores së tij, që kishte qenë pikërisht aty ku tashti po hidhja këmbët nëpër terr. Shtatorja pra nuk ishte më aty (e pashë dy javë më vonë, po prehej në këmbë para Muzeut të Artit, me krahun e majtë të thyer) dhe unë për pak rashë në gropën katrore të krijuar nga shkulja e piedestalit. Sikur të mos më kishte mbrojtur një lëvizje e vetvetishme, një lloj refleksi, ajo gropë tashmë pa rëndësi do të kish hyrë si e rëndësishme në jetën time: do të isha rrëzuar brenda në të.

Tronditjen e ndjeva një çerek ore më vonë. Porse, lëri të tjerat, do të ishte krijuar edhe një gjendje nga më të pakëndshmet për pozitën time si diplomat i një vendi mik. Përfytyroni skenën që do të krijohej: kalimtarët gjejnë një të huaj gjysmë pa ndjenja në gropën e Stalinit, dikush thërret për ndihmë, një tjetër njofton policin e rastit që sheh, të gjithë përpiqen të nxjerrin të lënduarin nga gremina. E fatkeqi, krejt i pazoti, të thotë dy fjalë shqip. Me këtë zbulon se është i huaj, për më tepër... diplomat perëndimor! Si do të mund të sqaroja ç’kisha dashur nëpër natë në atë vend dikur të nderuar, që tashti shërbente si kosh plehrash për paketa cigaresh e teneqe coca-colash? Pa folur për përqeshjet e thumbat e kolegëve të mi, sepse pa dyshim incidenti do më kishte kushtuar një shkrim “të vogël” sensacional në gazetat vendore: “Diplomati i huaj në kërkim të së kaluarës”. Dhe çudia e eprorëve të mi, që deri në atë imtë s’kishin dyshuar për gjykimin tim të shëndoshë. Engjëlli im mbrojtës dëshmoi se më rrinte pranë. Pas asaj nate, sa herë kaloja andej, i bija anës tjetër të bulevardit. Për ironi, pas do ditësh mora vesh se edhe në anën tjetër ishte gjithashtu një gropë, pak më e futur, që kishte mbajtur piedestalin e një të harruari tjetër të madh të historisë.

Ndërmjetëz

Shumë pak i prirë për ta zgjatur ndenjjen në hotel, qysh ditët e para të ardhjes në Tiranë, iu vura kërkimit të një apartamenti. Oferta ishte thuajse e paqenë. E pashë veten të detyruar të marr me qira një banesë me dy dhoma, shumë të thjeshtë, por të pastër. Ishte pa ngrohje dhe në mëshirë të ndërprerjeve të rrymës elektrike e të furnizimit me ujë të rrjedhshëm, si gjithë shtëpitë e tjera të Tiranës. I pajisur me telefon nga më të komplikuarit: në fillim duhej zbritur në katin e parë, pastaj të ngjiteshe sërish në apartament, ta hapje telefonin lart, ta mbyllje kutinë poshtë, të thërrisje me zë të lartë në korridor për të pyetur a punonte dhe nëse jo, t’ia nisje nga e para… Dhe me një qira mujore në dollarë, më e larta që kam paguar në jetën time për një shtëpi kaq të vogël. Ndërtesa pranë nuk i shtonte asgjë gëzimit që kishim gjetur një strehëz: aty vinin qytetarë me fytyrë të trishtuar e vështrim të humbur, për të njoftuar vdekjen e ndonjë njeriu të tyre. Ishin zyrat e Funeralit, siç quhej ndërmarrja që shërbente për raste të tilla. Ndërsa si për ironi, përballë, jo larg, ndodhej një pijetore ku klientët e shprehnin pa kursim gëzimin e të qenit gjallë. Marrëdhëniet me pronarin e apartamentit ishin pa fjalë, por shumë korrekte. çdo mbrëmje mbetesha te dritarja, duke zgjatur përjashta antenën e vogël për të kapur sinjalin televiziv. Herë për të parë sekuenca të lajmeve me simpatiken Tefta Radi dhe mënyrën e saj profesionale për të përcjellë të rejat e ditës, e herë për të kapur pamjet e “Ethet e së premtes në mbrëmje”. Asokohe ky emision nuk mund të lihej pa parë. E paraqiste Ardiani me bukuroshen Valbona (me të cilën pata privilegjin të haja darkë në një restorant të qytetit, bashkë me tridhjetë të ftuar, që hidhnin vështrime mbi atë krijesë të mrekullueshme). Gjatë njëmbëdhjetë muajve në këtë apartament mbaj mend tri ndodhi gjithsesi domethënëse. Një mbrëmje të bukur, kur kthehem nga zyra, marr vesh se ime shoqe aty kishte parë një mi. I ndërgjegjshëm për tutën e pabazë që këto kafshë të vogla u shkaktojnë shpesh të rriturve, i zura pritë miut që mund të na turbullonte paqen familjare. Mbrëmjen e tretë, ndërsa po dremisja në karrige në kuzhinën e zhytur në errësirë, dëgjoj një gërvishtje në dollap të bukës. Karriera ime burokratike 30-vjeçare nuk e paskësh zhdukur refleksin e sportistit të dikurshëm brenda meje: e zura tradhmend mysafirin e padëshiruar. Ndërsa brente e patrazuar, kafshëza u verbua nga drita e llambës së dorës, që ia drejtova pa zhurmë. I thirra gruas se kaq e pati miu. Po pikërisht në këtë hop, erdhi shpëtimi i tij. Kur ime shoqe pa kokën e vogël të kafshës që dridhej në grushtin tim, asaj iu duk “aq i bukur” miu dhe i erdhi keq. Mori një karton të përgatitur më parë, me vrima për ajrim dhe e shtimë në të.
Besoj se duhej të ishte i pari dhe i vetmi mi që kishte përshkuar ndonjëherë Tiranën me makinë me targë CD e grahur nga një çift i sigurt për atë që po bënte. Sapo mbërrimë në parkun prapa stadiumit të futbollit, e lëshuam miun që rifitoi lirinë dhe kërceu gjithë gëzim...

Hijeshia e peizazheve

Në çdo qytet ka sheshe, parqe, lagje që të joshin më shumë dhe ka të tjera që të tërheqin më pak. Ndihesh mirë në këtë rrugë, por do të doje të banoje në atë tjetrën. Kjo ndjenjë ngrohtësie ose mospëlqimi shpesh është e vetvetishme, nuk mbështetet mbi ndonjë arsye të caktuar. Ajo thjesht zbulon ndjesi vetjake të njeriut. Gjithnjë ndiej mall për vendet që më kanë pëlqyer më shumë në qytetet ku kam jetuar dhe sa herë më jepet rasti shkoj t’i shoh përsëri. Ngaqë kalova katër vjet në apartamentin e Rrugës Skënderbej – në popull njihej edhe si rruga e ambasadave – dhe meqenëse dy herë në ditë duhej të nxirrja qenin, arrita të njihja krejt hollësitë e kësaj rruge: që nga gjerësia jo e barabartë e trungjeve të pemëve, deri tek ushtrimet e boksit kinez të kolegëve aziatikë gjatë mëngjeseve. Pikërisht aty përpara ambasadës kineze ndodhte çdo vit, në të njëjtën datë, më saktë në javën e fundit të muajit qershor, diçka për t’u shënuar nga amatorët e dukurive natyrore. Në një katror me përmasa të kufizuara shfaqeshin një numër i madh krimbash vezullues që rrotulloheshin rreth vetes në errësirë pa ndonjë arsye të dukshme dhe që Teddy rrekej më kot t’i kapte. Përfytyroni habinë time kur gjatë një vizite në Tiranë para dy vjetësh, domethënë dhjetë vjet mbas largimit tim nga Shqipëria, kalova një natë të fundit të qershorit para ambasadës kineze dhe i gjeta sërish aty kafshët e vogla vezulluese! M’u duk sikur u ktheva dhjetë vjet mbrapa: do të kishte qenë tepër e bukur.

Dal nga Rruga Skënderbej në Rrugën e Kavajës, para kishës katolike, dhe shoh diçka të çuditshme e zbavitëse njëkohësisht. Disa nga besimtarët që hyjnë në meshë, marrin biçikletën brenda në kishë. Eh pra, mendoj, besimtarët kanë hallin e pronës së vet: do të kishte qenë e padrejtë edhe nga pikëpamja hyjnore që dikush t’ua vjedhë biçikletën në oborr të kishës, ndërsa ata luten brenda saj.

Sa herë i kemi ardhur rrotull liqenit artificial? Sërish për shkak të qenit tonë që duhej nxjerrë në shëtitje më të gjata në fundjavë. Qysh kur jam larguar nga Tirana, s’kam shkuar më atje, por në atë kohë liqeni ishte kënd i qetë e çlodhës. Disa restorante të vogla matanë digës, afër kopshtit të vogël zoologjik (ku një koleg i zyrës shkonte herë mbas here për t’i çuar karota ariut, për të cilin i vinte keq), e bënin më joshës. Peizazh i bukur skaj kryeqytetit, me zogj të ndryshëm, bajza, qukapikë e kaçubanë, sipas stinëve. çdo vit në prill përsëritej një “ngjarje e madhe”: mijëra bretkosa të vogla përshkonin rrugën nga liqeni për në moçalet aty rrotull. Gjatë lëndinave në parkun e liqenit takonim një njeri që bënte vrap vetëm, plot pasion. Ndiheshim më të afërt për shkak të luftës së përbashkët kundër mbipeshës, shkëmbenim ndonjë mendim a vërejtje miqësore. Ky “bashkëluftëtar”, asokohe një nga praktikuesit e rrallë të këtij sporti në Shqipëri, tashti është drejtor në një institucion të rëndësishëm në Tiranë. Kur kishim ftesa zyrtare për ndonjë pritje a veprimtari të ngjashme në Pallatin e Brigadave, ngjiteshim me shumë kënaqësi drejt kodrës së bukur në park. çdo gjë organizohej në mënyrë të përkryer. Në një mjedis shumë të çlirët, me vepra arti e mobilie të lustruara që vezullonin, edhe lidhjet vendoseshin lehtë. Vit mbas viti prisnim me padurim muajin shkurt (ose fillimin e marsit, kur dimri ishte i ashpër) për të marrë rrugën e Dajtit. Pa mbërritur në Linzë, kapërcen një kthesë dhe lëshon shikimin djathtas: krye luginës së gjerë shfaqet dallgë-dallgë një lulnajë e verdhë: shpati është i mbuluar me mimoza, erëmira e të cilave ngjitet deri në rrugë. Një fotografi e varur në murin e zyrës sime ma kujtonte gjithmonë këtë det të përndezur lulesh erëmira, që lajmëronte ardhjen e pranverës. A mos do t’i duhet një ditë t’ua lëshojë vendin ndërtimeve të një qyteti që veç shtrihet e zmadhohet? Zhdukja e një lulishteje kaq të rrallë do të ishte humbje e madhe për kryeqytetin. Në Tiranë ka mjaft kënde të vogla, të bukura, joshëse. Më pëlqente shumë qoshja që zotëronin tre vëllezërit Frashri, të gdhendur në gur. Qëndronin atje të qetë, plot besim, megjithëse të kapluar nga trafiku i dendur i bulevardit nga njëra anë dhe nga hija e ndërtesave gjithmonë e më të larta, nga ana tjetër. A janë prapë aty këta shqiptarë të mirë? Sigurisht nuk duhet ta lëshojnë kurrë vendin e tyre!

Tirana ka ndryshuar tmerrësisht shumë këto vite. Më ka ndodhur shumë herë të mos di ku jam midis ndërtesave shumëkatëshe, rrugëve të reja, shitoreve e restoranteve. Duket tepër larg njoftimi “Kemi pula”, që varej në dritaren e ndonjë restoranti. Ishte festë t’i shijoje. Sot gjen gjithçka. S’kanë kaluar as njëzet vjet. Ta kujtosh a të mos e kujtosh atë kohë, si është më mirë?

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›