E Shtunë, 31 Tetor 2026

Holande - Kampionati

Gara për titull këtë vit do të jetë më e fortë. Kjo është prognoza që mund të bëhet për kampionatin holandez, ku Tvente e Enshedesë fitoi 2-0 ndaj AZ të Alkmarit, në një përballje të dy prej kampionëve të 3 viteve të fundit. Gjithsesi, në fillim u mbaj një minutë heshtje për punëtorët që humbën jetën në një aksident të ndodhur në stadium.

Vendasit e nisën ndeshjen në sulm dhe shënuan që në minutën e tretë kur Janko dërgoi me kokë në rrjetë një top të ardhur nga goditja e dënimit e ekzekutuar nga Ola Xhon. Kjo goditje e shpejtë vërtet që entuziazmoi Tventen, por nuk dekurajoi Alkmarin dhe Holman provoi me një gjuajtje nga largësia, gjuajtje që portieri Nikolaj Mihajlov e grushtoi me vështirësi dhe largoi rrezikun.

Në pjesën e dytë, Tvente arriti të shënonte edhe golin e sigurisë, atë për 2-0, ndërsa Brajan Ruiz shënoi kur kishte kaluar gati gjysma e 45-minutëshit. Ruiz shmangu mbulimin e një mbrojtësi mik dhe realizoi me një gjuajtje të zgjuar e të bukur. Trajneri i vendasve, Ko Adrianse nuk mund të bënte gjë tjetër veçse të festonte.

Në minutat e fundit pati kohë sa për t’u goditur trau i portës kundërshtare nga De Jong i Tventes dhe për t’u rrezikuar sërish porta e Esteban Alvarados, por pati kohë edhe për një gjuajtje të rrezikshme të Rasmus Elmit, gjuajtje që u dërgua mbi tra nga Mihajlov.
Po dje, PSV Ajndhoven fitoi me vështirësi 1-0 ndaj Valvijkut në stadiumin “Filips”. Vendasit e nisën shumë mirë ndeshjen dhe shënuan që në minutën e 24-ët kur kapiteni Toivonen pasoi për të riun Mertens dhe ky realizoi bukur. Në fillim la pas mbrojtësin Bangjar dhe pastaj mposhti
portierin mik, Zët.

Ndonëse PSV u përpoq të mbante iniciativën dhe provoi me një gjuajtje nga distanca në pjesën e dytë, ritmi i kampionëve të dikurshëm ra dhe miqtë morën situatën nën kontroll. Fillimisht, në një kundërsulm të minutës së 82-të, Ten Vorde gjuajti në zonë, por portieri suedez, Isakson, e ndaloi sferën. Tri minuta më pas, barazimi ishte shumë pranë, kur Aron Majers nuk arriti të shtynte në rrjetë topin nga fare afër.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›