Grabitësit bastisin shtëpi, dhunojnë të moshuar, zhvatin florinj nga qafa
Terror në Shqipëri
Rruga e Kombit / Kukës-Kurbin, grabiten familjet kosovare
Dy grabitje janë shënuar në Rrugën e Kombit, ku agresorët u kanë dalë para automjeteve me targa kosovare, duke u marrë sendet me vlerë. Një adoleshent është vënë në pranga në Kukës, ndërsa dy të tjerë në Kurbin. Disa ditë më parë u regjistrua një tjetër grabitje.
Tiranë / I mori varësen nga qafa, arrestohet
Në Tiranë është arrestuar një 26-vjeçar i akuzuar për vjedhje. Durim Onuzi ishte dënuar më parë për vjedhje dhe dy ditë më parë, në orën 12:00, në rrugën Riza Cerova ai dyshohet se ka vjedhur me dhunë nga qafa varësen e shtetases L.T.
Shqiptarët janë vënë në terror nga grabitjet me dhunë, ku keqbërësit përdorin armë dhe leva, ndërsa fenomeni më i ri është zhvatja e sendeve personale nga qafa e veshët. Numri i pakët i punonjësve të policisë për frymë ka sjellë këtë situatë, ku territori i vendit nuk mund të mbulohet nga efektivët aktualë. Për pasojë, rastet e grabitjeve me dhunë janë shtuar ndjeshëm. Gjatë 48 orëve të fundit janë regjistruar një numër i madh grabitjesh, duke filluar nga Kukësi për të përfunduar në Sarandë. Në Rrugën e Kombit janë regjistruar dy grabitje, e para nga një adoleshent kuksian dhe e dyta në Kurbin, ku në të dyja rastet autorët u kanë dalë para familjeve kosovare që ktheheshin nga pushimet në vendlindje. U kanë marrë sendet personale, lekë, euro, unaza, florinj e laptop. Ndërkohë, raste të shumta grabitjesh në kryeqytet, ku u arrestua një 30-vjeçar i konsideruar si tmerri i banesave në Tiranë, Fier dhe Vlorë.
Grabitet te varri i të shoqit
Një nga rastet më flagrante, kur nuk sigurohet dot jeta e një qytetareje ka ndodhur në Sarandë. Një grua është grabitur teksa ndodhej te varri i burrit të saj. E dëmtuara kishte ardhur nga Greqia për të vajtuar bashkëshortin, që ka ndërruar jetë disa kohë më parë, por ka rënë pre e grabitjes. Ngjarja ka ndodhur në varrezat e fshatit Xarrë të Sarandës, ku shtetasja Vasiliqi Puriqi është grabitur nga dy adoleshentë që i kanë marrë 500 euro, 50 mijë lekë dhe sende të tjera me vlerë, si pasaporta, varëse dhe unaza. Emigrantja ka denoncuar ngjarjen në Policinë e Sarandës e cila ka arritur të arrestojë dy keqbërësit. Në pranga kanë rëndë Kostandino Stefani dhe Kristaq Xhemalaj, të dy 17-vjeçarë nga fshati Xarrë, të cilët akuzohen për vjedhje me dhunë.
Arrestohet hajduti serial
Një hajdut serial është arrestuar nga policia e kryeqytetit. Në pranga ka rënë 30-vjeçari Bledar Selmanaj, i cili akuzohet për një sërë vjedhjesh në Tiranë, Vlorë dhe Fier. Megjithatë, policia nuk ka mundur të ndalojë bashkëpunëtorët e tij, të cilët janë një kërcënim serioz për banorët e tri qyteteve. Mësohet se Selmanaj vidhte bizhu dhe pajisjet elektroshtëpiake, ndërsa i shiste tek pronarët e disa dyqaneve në kryeqytet me një çmim të favorshëm. Policia ka shoqëruar pronarin e argjendarisë së ndodhur në Rrugën e Durrësit, Fredi Xherahu. Në argjendarinë e Xherahut, uniformat blu kanë gjetur një sasi floriri pa certifikatë shoqëruese dhe mendohet se kjo është sasia e sjellë nga 30-vjeçari i arrestuar. I riu nga qytetit bregdetar i Vlorës rezulton një personazh i njohur për policinë shqiptare, pasi është arrestuar në shkurt të këtij viti me të njëjtën akuzë për vjedhje. Ndalimi më 9 shkurt dhe lirimi brenda një periudhe të shkurtër hedh dyshime të forta mbi dënimin e autorëve të krimeve. 30-vjeçari Selmanaj ka mundur të fitojë lirinë nga Gjykata e Vlorës me anë të një dëshmie të rreme si i sëmurë mendor. Ai akuzohet për afro 10 vjedhje banesash.
Vjedhja e bizhuterive
Një i mitur është vënë nën akuzë nga Policia e Tiranës për vjedhje banesash. G.P preferonte vjedhjen e banesave dhe merrte prej andej vetëm bizhuteritë e shtrenjta. Hetimi filloi pasi më datë 13 gusht ka vjedhur shtëpinë e shtetasit L. B, banues në rrugën Frosina Plaku, Tiranë, duke i marrë bizhuteri me vlerë, ora dore të shtrenjta etj. Sipas pamjeve të fiksuara nga kamerat e sigurisë, u identifikua si autor i ngjarjes shtetasi i mitur me inicialet G.P, banues në Tiranë, tha policia dhe nga hetimet e mëvonshme u zbulua se i mituri rezulton të jetë autor i dyshuar edhe në tre vjedhje banesash të tjera. Më datë 23 korrik 2012, tek Rruga e Kavajës, ka vjedhur banesën në pronësi të shtetasit D.H., ndërsa më datë 10 gusht, në rrugën Besim Imami, Tiranë, ka vjedhur banesën e shtetasit P. H. Vjedhja e fundit është bërë dy ditë më parë në rrugën Muhamet Gjollesha, ku ka vjedhur banesën e shtetasit P. M. Policia thotë se të miturit u sekuestruan tri ora dore, një varëse me dy unaza, si dhe një palë vathë, të cilat nga i dëmtuari vlerësohen si bizhuteri me vlerë.
Ndërkohë, një 32-vjeçar është arrestuar sërish me akuzën e vjedhjes, megjithëse i dënuar më parë për të njëjtën vepër penale. Fatjon Perzhita, sipas policisë, akuzohet si autor i vjedhjes me thyerje të dyqanit të syzeve në pronësi të shtetasit J.D, më datë 13 korrik 2012, rreth orës 04:00, në rrugën Shyqyri Bërxolli. U sekuestruan 167 palë syze dielli dhe optike të markave dhe llojeve të ndryshme. Red.Akt
Grabitësit bastisin shtëpi, dhunojnë të moshuar, zhvatin florinj nga qafa burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip