E Shtunë, 31 Tetor 2026

Holbrooke, misionar i shpresës për shqiptarët

/* */

Nga:AGIM NEZA

Dje ndërroi jetë në Washington diplomati amerikan dhe miku i shqiptarëve Richard Holbrooke. Ai ishte një personalitet i madh i diplomacisë dhe politikës amerikane, një kontribuues i shquar në shërbim të lirisë dhe demokracisë kudo në botë. Diplomati Holbrooke ishte mesazhi i paqes dhe i bashkëpunimit ndërkombëtar.  Richard Holbrooke është një shembull i veçantë i administratës dhe diplomacisë amerikane, i vlerësuar nga presidentët republikanë e demokratë. Ai shërbeu në gjashtë administrata amerikane si një emisar i paqes, demokracisë, lirisë dhe të drejtave të njeriut në mbarë botën.
Para dy ditësh, gjatë një mbledhjeje pune me sekretaren amerikane të Shtetit, znj. Hilari Klinton, në Departamentin e Shtetit, ai pësoi një çarje të aortës së zemrës dhe u dërgua me urgjencë në spitalin e universitetit “Xhorxh Uashington”, ku iu nënshtrua një operacioni disa orësh. Gjendja e tij kritike shëndetësore bëri që personaliteti i madh amerikan të shkëputej fizikisht nga familja, kolegët dhe admiruesit e diplomacisë së tij.
Kjo nuk është një humbje vetëm për administratën dhe diplomacinë amerikane, por është një humbje edhe për diplomacinë botërore në tërësi dhe paqen në botë.
Të gjithë ne do ta kujtojmë diplomacinë e tij vizionare në shërbim të lirisë dhe demokracisë kudo në botë dhe në veçanti në Kosovë, Bosnje, Irak dhe së fundi në Afganistan.
Mesazhet e tij dhe ish-Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Klinton, në Kosovë se “Ne bëmë luftën, Ju (shqiptarë të Kosovës) duhet të bëni paqen”, sot është bërë realitet nga klasa politike e Kosovës. Pra, dëshira dhe vizioni i diplomatit amerikan Holbrooke për stabilitet dhe paqe është bërë realitet. Në veçanti me zgjedhjet e fundit në Kosovë.
Ndarja nga jeta e diplomatit të shquar amerikan është një humbje për popullin shqiptar. Richard Holbrooke ishte personaliteti i parë i administratës “Klinton” që kontaktoi me luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët kontribuuan për lirinë e Kosovës.
Kontributi i tij për lirinë, pavarësinë dhe stabilitetin në Kosovë do të mbetët i pazëvendësueshëm në kujtesën e shqiptarëve.
Veprimtaria e Richard Holbrooke do të mbetet pjesë e historisë së shqiptarëve, krahas emrave të presidentëve të Shteteve të Bashkuara si Wilson, Klinton, Bush, Obama dhe ish-sekretareve të Shtetit, Madeleine Albright dhe Condeleezza Rice, të cilët në epoka të ndryshme të historisë së popullit shqiptar ndikuan dhe kontribuuan në ekzistencën e shtetit shqiptar, në pavarësinë e Kosovës dhe së fundi në anëtarësimin e Shqipërisë në NATO.
Në realitetin e sotëm, mbështetja që kanë dhënë personalitetet e njohura të politikës amerikane, diplomati Richard Holbrooke dhe aktualisht administrata e Presidentit Obama për shqiptarët kudo që ata jetojnë në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe në Amerikë, është mesazhi më i mirë për klasën politike në Shqipëri, Kosovë dhe shqiptarët në tërësi, se të gjithë duhet të kontribuojmë për paqen, lirinë dhe zhvillimin e demokracisë.
Nuk e di nëse Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë dhe Shkëlqesia e tij, ambasadori Aleksandër A. Arvizu, do të hapë dyert për të nderuar diplomatin e shquar, paqebërësin e mrekullueshëm amerikan Richard Holbrooke (çështje e protokollit të Departamentit të Shtetit), por unë mendova që nëpërmjet gazetës “Panorama”, të përcillja këtë mesazh në kujtim të mikut të shqiptarëve. Një mesazh që do të dëshironte ta linte çdo shqiptar për kontributin e madh diplomatik për çështjen e Kosovës dhe shqiptarëve në përgjithësi. Ai ishte një diplomat i shquar, atdhedashës dhe patriot amerikan, por mbi të gjitha i shërbeu lirisë dhe demokracisë kudo në botë dhe në veçanti ne shqiptarëve. Një misionar i paqes dhe shpresës për shqiptarët.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›