E Shtunë, 31 Tetor 2026

Letra/Të jesh qenie njerëzore

15-12-2010 / Gazeta 55

Fundviti 2010 u mbush me gëzim, festa e suksese në këtë shekull të shqiptarëve.
I ndëshkuar padrejtësisht nga fati dhe historia, nga arena e luftërave e diktatura me e egër, nga izolimi dhe mungesa e lirisë, mbizotëruese këto në shekullin që lamë pas, shqiptarët, sot zgjerojnë dimensionin njerëzor me një aspekt tjetër të lirisë-lëvizjen e lirë.
Gjurmët e kujtesës sjellin vitet ’90 dhe një paralelizëm me një nga poezitë e shkrimtarit Dritëro Agolli “Devoll, Devoll”. Poezia e tij, që mori baltën e Devollit dhe e solli në Lidhjen e Shkrimtarëve, shpjegonte sipas mendimit tim ADN-në e forcës së tij krijuese, dashurinë për virtytet e devollinjve, dhe një premtim se ai do përçonte atje shpirtin e tyre, të thjeshtën, të bukurën, të vërtetën, dhe përkushtimin e tyre ndaj punës.
Por, sot në kujtesë të fillimviteve 90, ato vargje më përthyhen:
Po Devoll, i tillë qënke ti/Qindra mijëra shqiptarë morën baltën tënde maleve/
Dhe e çuan në Greqi.
Përbri lumit Devoll, një “lumë i madh” njerëzor ishte krijuar, lumi i refugjatëve, por nëse i pari ishte natyror dhe derdhej në det, i dyti ishte i sforcuar, pasojë e përpjekjeve të pashembullta të diktaturës për tjetërsim, një demaskim ndaj klikës politike moniste, që kishte tentuar të dilte mbi zotin, me formimin e të ashtuquajturit “njeriu i ri”; nëse i pari të ofron jetë, bukuri natyrore dhe  derdhet në det, i dyti të mbushte me dhimbje, e shpesh të afronte me vdekjen,ose me përqasjet e ferrit.
Nga ana tjetër ky lumë njerëzor refugjatësh drejt Greqisë, shtrati i të cilit ishte i lëvizshëm si grykëderdhja e Nilit, ishte akuza më e fortë ndaj regjimit, i cili bëri dhe atentatin më të shëmtuar ndaj lirisë dhe ndaj tyre me një numër vrasjesh në kufi.
Ky lumë njerëzor i dhimbshëm, ishte nga ana tjetër një ringjallje e shpresës.
Ata largoheshin, nga atdheu, jo se ishin “jashtëqitja e kombit”,siç u etiketuan ata që largoheshin asokohe. Telefonatat e pafundme, radhët e pafundme nëpër postat shqiptare (atëherë nuk kishte celularë ende), për kontakt të familjeve te tyre, e kundërshtonin së paku këtë.
Po çfarë ishte të kaloje kufirin nga mali? Duke kaluar kufirin shqiptar drejt Greqisë, ata nuk e dinin se do të ndesheshin me të panjohurën. E panjohura ishte shpesh miqësore, e shpesh ogurzezë. Shumë prej tyre udhëtonin me ditë të tëra, shpesh nëpër borë e nëpër shi, pa u ndalur rrugë pa rrugë, nëpër shtigje  të përbaltura e me gurë, nëpër maja të thepisura(që të mos kapeshin nga ushtarët apo policia) me çantat e rënda me ushqime mbi shpinë, por që ditën e tretë dhe të katërt nuk bënin punë (Fillonte anoreksia nga rraskapitja dhe mund të merrje forca vetëm duke pirë ujë me sheqer dhe kafe-por dhe kjo mund të sillte më tej hemorragji). Ata filluan të përdoreshin politikisht, duke u përballur me një përpjekje poshtëruese të dytë për tjetërsim.
Kur kapeshin nga ushtarët apo policia i nënshtroheshin dhunës fizike, e cila ofrohej e para. Kur i shpëtonin kësaj, fillonte dhuna psikologjike.
 Kërkohej ndërrimi i emrit dhe fesë, humbje e dinjitetit, në shkëmbim të një pune sado të rëndomtë apo të pakpaguar…
Por sot, shumica e tyre janë integruar me jetën e vendit fqinj, i janë shtruar punës, kanë triumfuar (duke ecur mbi tokën mëmë ata kishin marrë forcë si Anteu) ndaj shumë formave të dhunës, kanë rifituar dinjitetin e tyre-lëvizjen e lirë.
Shumë prej tyre janë rikthyer, e jetojnë të qetë me familjet e tyre, pas sagës së tyre të ngjashme për nga vuajtja dhe fati  me atë të Uliksit, por të ndryshme nga synimet e largimit.
Eshtë tharë “lumi” absurd e skllavërues i refugjatit e shpesh duket si ëndërr e keqe.
Përbuzje shkon për ata që e nënvleftësojnë këtë fitore të shqiptarëve(“deshi Evropa dhe e bëri”-thonë ata;kjo është si të vësh shenjën e barazimit midis një deputeti të zgjedhur dhe ndonjë kryetari partie të vetëemëruar), dhe që shkelin mbi përpjekjet e mijëra njerëzve për t’ia arritur kësaj dite.
Homazh shkon për të gjithë ata qe e paguan me jete sakrificën e tyre për lëvizjen e lire.
Mirënjohje shkon për të gjithë ato faktorë politikë e përpjekje që e mundësuan lëvizjen e lirë.
Mirënjohje shkon dhe për miqtë e Shqipërisë kudo në botë që dhanë mbështetje për këtë.
Mirënjohje shkon edhe për popullin grek, që i priti, i besoi, i hapi derën dhe i ofroi vatrat e tyre mijëra shqiptarëve.
Mirënjohje dhe respekt veças shkon padyshim dhe për gjithë mikpritjen e devollinjve, që bënë me bashkatdhetarët e tyre atë që do të bënin së pari kuksianët, por dhe gjithë Shqipëria me popullin shqiptar të Kosovës,që do të shpërngulej nisur nga vetëmbrojtja përkohësisht, nga trojet e veta vite më pas…
Admir Nake (Devoll)

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›