E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bunkerët e Enverit dhe llogoret e Izraelit

15-12-2010 / Nga Daniel Gavron (“Haaretz”)

Pasi kalova një fundjavë në Shqipëri, tashmë që jam rikthyer në vendin tim ndjehem i pushtuar nga kujtimet mbresëlënëse dhe prej pamjeve të bukura që më zunë sytë; një vend me njerëz të shoqërueshëm, me zemër të ngrohtë, ushqim të shijshëm (edhe pse disi të shtrenjtë), rrugë malore të ngushta e me plot kthesa jo pak të rrezikshme, me furnizim të pamjaftueshëm me ujë të pijshëm, dhe... me afro një milion bunkerë.
Në të vërtetë, ka mendime të ndryshme në lidhje me numrin e  bunkerëve: disa thonë se ka vetëm 500 mijë, të tjerë të flasin për 700 mijë të tillë, por, të gjithë bien në një mendje se gjenden tmerrësisht shumë.
Ato u ndërtuan në vitin 1950 me urdhrin e diktatorit shqiptar Enver Hoxha. Në vend flitet e besohet se Enver Hoxha i urdhëroi inxhinierët e tij të ndërtonin një mostër bunkeri. Më pas diktatori pyeti kryeinxhinierin se a e përballonte dot ky bunker zjarrin e tankut? Pasi mori përgjigje pohuese, ai e urdhëroi inxhinierin guximtar të hynte brenda në bunker dhe urdhëroi të hapej zjarr mbi të. Kryeinxhinieri mbijetoi dhe kështu u lëshuar urdhri për ndërtimin në masë të tillë të bunkerëve.
Arsyeja e vërtetë e këtyre ndërtimeve ishte se Enver Hoxha e kishte kapur pisk me botën mbarë, përveç Republikës Popullore të Kinës. Kur akuzoi Bashkimin Sovjetik se kishte tradhtuar idealet e komunizmit të vërtetë, ai më parë kishte stisur një përplasje me Jugosllavinë fqinje. Që Perëndimi përbënte kërcënim për të, veçanërisht pas aleancës më Kinën, kjo nuk kishte nevojë për t’u thënë me fjalë. Për rrjedhojë, udhëheqësi i 3 milion shqiptarëve, me një sipërfaqe pak më të madhe se ajo e Izraelit dhe e territoreve të pushtuara, shtynte ditët i kapluar nga ndjenja e terrorit të pandërprerë se do të sulmohej si nga Lindja ashtu edhe nga Perëndimi. Prandaj i duheshin bunkerët. Një për çdo shqiptar. Marrëzia e diktatorit.
...Në Evropën Lindore, vetëm ish-Jugosllavia dhe Shqipëria i bënë ballë ushtrisë naziste pa ndihmën e Rusisë, çka la shteg të hapur edhe për kundërshtimin e mëpasëm të kryer ndaj Bashkimit Sovjetik. Për më tepër, gjatë kësaj kohe, me një popullsi që në shumicë i përkiste besimit mysliman, Shqipëria kundërshtoi me forcë të dorëzonte hebrenjtë që banonin atje në duart e gjermanëve, të cilët donin t’i zhvendosnin për në kampet e përqendrimit. Madje edhe hebrenjtë që nuk banonin në Shqipëri, por që ia dolën mbanë të shpëtonin nga makina shfarosëse naziste, gjetën strehë në këtë vend. Në fakt, Shqipëria ishte i vetmi vend në Evropë që në territorin e saj e kishte më të madh numrin e hebrenjve pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, se sa përpara se të fillonte Lufta. Ashtu si Danimarka dhe Bullgaria, edhe Shqipëria meriton mirënjohjen e popullit hebre.
Megjithatë, duhet thënë se politikat e Enver Hoxhës pas LDB-së, duke ndjekur linjën e ashpër të komunizmit, dëmtuan shumë popullin e tij. Kërcënimi nuk kishte qenë edhe aq i pavend. Në vitin 1950, shërbimet sekrete anglo-amerikane përkrahën gueriljet antikomuniste të shqiptarëve, por plani dështoi keqas - duke nxjerrë në pah faktin se përmbysja ‘e butë’ e Hoxhës që kishte ndërtuar goxha bunkerë, ndërkohë që shqiptarët vuanin për strehim, ishte një këshillë e pavend.
Shpenzime marramendëse? Jo edhe aq. Një vizitor hebre nuk mundet dot të mos shquajë ngjashmërinë e bunkerëve shqiptarë me llogoret, tunelet dhe muret mbrojtëse në Bregun Perëndimor, po vërtet, të gardhit ndarës. Pavarësisht veçorive të dukshme mes izraelitëve dhe shqiptarëve, paranoja dhe mentaliteti i jetës si në rrethim, ndjesia se “e gjithë bota është kundër nesh”, ngjajnë si dy pika uji.
Edhe plani në vazhdë i Izraelit për tërheqje “të njëanshme” nga Gaza është një shembull flagrant i mentalitetit murngritës e bunkerizues. Ai mbështetet tek hamendësimi se “nuk kemi me kë të bisedojmë” dhe tek parulla “të mbështetemi në forcat e tona”. Të tilla prononcime  tregojnë moslejimin e angazhimit të palës palestineze për tërheqjen nga Gaza, si dhe theksojnë idenë e njëanshmërisë së vendimmarrjes. Bashkëpunimi me ta nuk është kusht për tërheqje, thuhet me zë të lartë, duke zhvleftësuar kështu çdo lloj mundësie të rënies në ujdi me palën tjetër. Ngado që ta rrotullosh, Izraeli do të tërhiqet nga Gaza. Për më tepër që plani për tërheqjen duhet të bashkërendohet edhe me zgjidhjen e problemit të murit ndarës. Mesazhi që përsëritet aq shpesh sa të vret veshin, është: “Na veçoni prej palestinezëve, mundësisht të kemi sa më pak të bëjmë me ta”.
Ashtu si Shqipëria e udhëhequr nga Enver Hoxha, edhe Izraeli përballet me kërcënime jo pak serioze. Por, po ashtu si edhe Shqipëria e dikurshme edhe Izraeli ka prirjen për ta tepruar me shkallën e kërcënimeve. Zgjidhja në këtë rast nuk është të fshihesh pas mureve, gardheve apo llogoreve. Në këtë rast, zgjidhja e duhur është përballja me kundërshtarin. Një përballje ku dhuna përjashtohet fundekrye. Ne nuk mund të përballemi me palestinezët veçse përmes negociatave.
Dobia e dialogut tashmë i ka dhënë frytet e para: armëpushimi i këtyre kohëve ka qenë mjaft i suksesshëm në parandalimin e sulmeve terroriste, se sa muri ndarës i pjesshëm a tërësor. Madje dialogu ka qenë më i dobishëm edhe se sa represioni i Forcave të Mbrojtjes Izraelite (IDF) dhe vrasjet e shënjestruara. Edhe sulmet e fundit në Gaza nuk kanë të krahasuar në përmasa as edhe me raketahedhëset “Qassam” kur IDF-ja u përpoq t’i ndalonte. Në këtë kuptim, marrëveshjet konstruktive me palestinezët japin më shumë rezultat se çdo lloj mosmarrëveshjeje, për ta bërë më të sigurt jetën e të gjithëve.
Të ngrohet zemra kur sheh se shqiptarët kanë dalë nga izolimi. Pasi ia arritën këtij qëllimi, ata zbuluan se bota nuk ishte një vend i frikshëm siç mendonin njëherë e një kohë. Izraeli nuk ka qenë asnjëherë i izoluar sa Shqipëria, por dyshimi ynë i vazhdueshëm për pjesën tjetër të botës është i ngjashëm me mentalitetin që mbizotëronte në ish-regjimin komunist. A nuk ka ardhur koha edhe për izraelitët që të nxënë nga i njëjti ‘mësim’?

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›