Letra/Gjarpërinjtë që kishin “msymun” Shkodrën
Më 9 dhjetor të këtij viti, në kulmin e përmbytjeve, një prej reporterëve të ABC News, nga Shkodra, përgënjeshtronte lajmin e rremë se gjarpërinjtë e liqenit kishin “msymun Shkodrën”. Në këtë përgënjeshtrim, reporteri kishte të drejtë. Dihet që dimrit gjarpërinjtë nuk dalin prej vrimave ku strehohen, madje edhe gjarpërinjtë e ujit, të cilët nuk janë helmues. Për një çast mendova se do të ishte fjala për ndonjë humor, nga ata që shkodranët i kanë në majë të gjuhës. Sepse qyteti fisnik, ngulur buzë liqenit qysh në lashtësi, siç ka virtytin për të kaluar me dinjitet, me durim e maturi fatkeqësitë dhe vështirësitë, ashtu gjen edhe barin për të lehtësuar dhimbjen.
Në rastin e gjarpërinjve, u zhgënjyem si unë, ashtu edhe reporteri, pse jo, edhe vetë TV ABC News, me gjithë respektin që kam për kanalin e ri. U zhgënjyem, sepse për thashethemnajën e gjarpërinjve, është thëne vetëm gjysma e së vërtetës: ajo çka nuk ishte e vërtetë, domethënë lajmi i mësymjes se gjarpërinjve nga liqeni. Ama nuk është thënë gjysma tjetër, ajo e mësymjes së Shkodrës, në të njëjtën ditë, prej “gjarpërinjve të kuq”, ardhur lloj-lloj e tufë-tufë nga Tirana. Mbase lajmi ishte për këta lloj zvarranikësh qe kafshojnë dhe helmojnë fshehur. Në krye ishte gjarpri boa, me i gjati, i cili, me grykësinë që ka, kapërdin ç’t’i marrë barku-llastik. Shumë i rrezikshëm dhe helmatues për Shkodrën, duhet të ketë qenë gjarpri me zile (këmborë nga deshtë e dhentë, cjeptë e dhitë e Salarisë), forcën e helmit të të cilit shkodranët e njohin këtu e njëzet vjet të shkuar.
Të tjerët, kobra e nepërka, bashkë me gjarprin boa, atë me zile, gjarpërinj me syze e pa syze e lloj-lloj speciesh zvarranike, mbasi kafshuan dhe helmuan, i lëshuan vezët ne Degën e PS Shkodër... Ç’mund të nxjerrin tjetër ato vezë, përveçse gjarpërinj?
Siç e sheh, o zotëri reporter, thashethemnaja se gjarpërinjtë kishin “msymun” Shkodrën, paska qenë e vërtete. Nuk të fajësoj për asgjë. Ti dhe kolegët e tu nuk i patë dhe nuk i dëgjuat, sepse ata erdhën fshehur, lëshuan vezët dhe u larguan po ashtu, fshehur, pa praninë e mediave. Nuk thonë kot se gjarpri i fsheh këmbët.
Ja pse Shkodra, e cila nuk u trembet gjarpërinjve të ujit, ngase nuk janë helmues, u ruhet “gjarpërinjve të kuq”.
Agim Zëmblaku, Detroit, USA