E Shtunë, 31 Tetor 2026

Holtkemper: 2011,vit dinamikash pozitive për Shqipërinë

Ambasadorja gjermane në Shqipëri Carola Müller-Holtkemper ka komentuar vitin politik 2011 në Shqipëri. Ambasadorja Holtkemper është shprehur se ky vit shënohet nga një dinamikë pozitive. “Palët kanë arritur të bien dakord me 3 hapat për reformën zgjedhore dhe rregulloren e parlamentit”, ka theksuar Holtkemper.

Sipas saj zgjedhja e Guvernatorit dhe Avokatit të Popullit uu zhvillua në transparencë të plotë. Në një intervistë për Deutche Welle, ambasadorja gjermane shprehet se deklarata e përbashkët e partive qeveritare dhe të opozitës lidhur me bashkëpunimin e tyre është një hap mjaft i rëndësishëm që Shqipëria ka realizuar deri tani.

Sipas saj, një falenderim i madh duhet bërë për Parlamentin Europian që arriti të bëjë bashkë në një tryezë partitë e mazhorancës dhe të opozitës.

“Unë mendoj se viti 2011 shënohet nga një dinamikë më së shumti pozitive. Qeveria dhe opozita kanë arritur të bien dakord me hapat, që do të ndjekin për përmirësimin e rregullores së punës së parlamentit, gjithashtu kanë vendosur të punojnë për reformën elektorale dhe kanë arritur të bëjnë një plan veprimi në përputhje me frymën dhe rekomandimet e Progres Raportit më të fundit të Komisionit Europian për Shqipërinë. Deri më tani ka dhe hapa konkretë, për shembull zgjedhja e Guvernatorit të Bankës Kombëtare, apo dhe për Avokatin e Popullit, ku janë realizuar procedura tejet transparente, në bazë të konkurrueshmërisë dhe përshtatshmërisë së kandidaturave. Na mbetet të shpresojmë në vijim që edhe postet e tjera me të njëjtën përgjegjësi të mund të përzgjidhen dhe të përcaktohen me të njëjtën transparencë”, shprehet Holtkemper.

Lidhur me luftën kundër korrupsionit ajo konstaton se korrupsioni dhe mungesa e shtetit ligjor mbajnë larg investitorët e huaj, të cilët do të mund të krijonin vende pune të reja me anë të dijeve dhe kapitalit, që do të sillnin në vend, si dhe do të mund të ndihmonin nëpërmjet aktiviteteve ekonomike bilancin deficitar të Shqipërisë. Për sa i përket imunitetit të zyrtarëve të lartë, ajo konstaton se një nivel i caktuar, i kufizuar i imunitetit është i domosdoshëm për funksionimin e disa organeve të caktuara kushtetuese, si shprehje e ndarjes së pushteteve, por se ai duhet të funksionojë sipas modelit të Bundestagut gjerman.

E pyetur se sa shanse ka që në mesin e vitit 2012 Shqipëria të arrijë objektivin e marrjes së statusit të vendit kandidat për në BE, ambasadorja Carola Muller-Holtkemper, shprehet se, “Progresi i Shqipërisë në rrugën drejt integrimit europian varet nga vetë shqiptarët.

Kriteret e hapit të mëtejshëm për të fituar statusin e vendit kandidat janë tashmë të formuluara mjaft qartë, transparente dhe të bëra publike në Progres Raportin e Komisionit Europian. Nga 12 rekomandimet e përpiluara aty unë do të konsideroja si të shpejta për t`u përmbushur miratimin e ligjeve me 3/5-tat, krijimin dhe ndërtimin e një bashkëpunimi konstruktiv mes partive politike”- përfundoi ajo.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›