Homazhe gjyqtarit Pjetrushi

Lezha i ka dhënë lamtumirën e fundit gjyqtarit Rigers Pjetrushi, i cili humbi jetën pas një aksidenti fatal në dalje të Gjirokastrës. Qindra qytetarë lezhjanë, kolegë, futbollistë dhe familjarë të Pjetrushit kanë bërë homazhe në nderim të 32-vjeçarit, që paraqiti vlera si futbollist, por edhe si arbitër.
Homazhet në nderim të Pjetrushit u zhvilluan në stadiumin e qytetit të Lezhës. Të afërm, kolegë, përfaqësues të federatës shqiptare të futbollit dhe sportdashesit lezhjane kanë ndarë dhimbjen me familjen për këtë humbje të parakohshme.
Rigers Pjetrushi ishte gjyqtar i katërt në takimin e Superligës, Luftëtari-Kastrioti. Ai humbi jetën, pasi makina me të cilën po udhëtonte, së bashku me 3 gjyqtarët e tjerë të asaj ndeshje, u përplas me një tjetër mjet në dalje të Gjirokastrës.
Për të nderuar kujtimin e gjyqtarit Pjetrushi, edhe futbolli mbajti zi, pasi më parë FSHF kishte vendosur të shtynte të gjitha ndeshjet e kampionatit të planifikuara për t’u luajtur të dielën.