E Shtunë, 31 Tetor 2026

Manjani: LSI forcë e aftë për qeverisjen e vendit

13-11-2012 / Gazeta 55

"Absurde të mbahet peng "statusi kandidat" për qarkun e Fierit – PS të rishikojë programin sepse shtet pa taksa nuk ka"

Krahas rolit të saj si forcë përcaktuese në mazhorancat parlamentare, për Ylli Manjanin LSI është e aftë të marrë edhe përgjegjësitë për qeverisjen e vendit. Si nënkryetar i kësaj force politike, Manjani theksoi se LSI është në ngritje të vazhdueshme dhe sipas tij këtë e tregojnë rezultatet elektorale gjatë viteve të fundit. “Në politikë nuk ka pozicion komod, asgjë s’është e dhënë njëherë e përgjithmonë. Dinamika e LSI ka qenë drejt ngritjes, s’ka rrudhje apo dhënie me gjithë dëshirën e madhe të mjedisit politik për ta shkatërruar, por kjo ka ardhur si rezultat i punës së saj, ajo është me motor të ndezur gjatë gjithë kohës. Dëshira është që ne të jemi alternativë fituese, kemi zotësinë dhe përvojën për të drejtuar Shqipërinë. Ne jemi vazhdimisht në lëvizje dhe kjo është një garanci që na bën të mendojmë se rritja elektorale është e pashmangshme”- u shpreh Manjani. Faktorizimin e LSI-së, sipas tij e rrit së tepërmi demokracia e brendshme dhe mënyra e organizimit të saj. Në mënyrë të veçantë pas mbajtjes së Konventës Kombëtare të LSI, të cilën ai e vlerësoi një standard në jetën politike, pasi nuk gjendet në asnjë nga partitë e tjera dhe respektivisht duhet të importohet si shembull. Mbi të gjitha nënkryetari Manjani preferoi ta konsiderojë më tepër se një riformatim, një shpërndarje detyrash dhe përgjegjësish mes aktorëve të LSI, e cila sipas tij sot më shumë se kurre vjen me një frymë paqtuese me Shqipërinë, për Shqipërinë, jashtë debatit të ashpër politik. “Është diçka për tu marrë shembull, mund të më thoni nëse ka diçka të ngjashme në ndonjë parti tjetër, është një standard në jetënpolitike në terësi në Shqipëri, është një gjë e mirë. LSI është një parti në rritje dhe si e tillë do duhet tu përshtatet zhvillimeve politike në vend. LSI është një model në filozofinë e hapjes si parti dhe vlerësimit të kontributeve, ashtu siç u vendos standardi i gruas në forumet drejtuese. Asnjë parti nuk e ka këtë, janë nisma të guximshme, por mbi të gjitha debati substancial mbi çështjet kryesore të vendit. Riformatimi është më tepër ndarje e detyrave përfaqësuese, disa kanë detyra të nivelit të lartë, disa të mesëm, nga ana tjetër kërkon që një pjesë të jetë më aktive, më popullore. Ka plot ndryshime dhe risi, ne po përpiqemi të orientojmë debatin tonë politik me Shqipërinë për Shqipërinë jashtë debatit të ashpër politik, jo drejt shuarjes së oponencës, por drejt frymës paqtuese, nuk ka më kohë, ka gjëra që nuk presin. Shqipëria ka nevojë të lëvizë më shpejt, jo shkel e shko natyrisht. Djegia e statusit dy herë dhe rrezikimi në minutat e fundit për herë të tretë për gjëra kot fare, që s’kanë asnjë lidhje, të vendosësh Fierin mbi interesat e vendit është absurde. Njëherë u vendos “Ruzhdia”, pastaj gjendet një tjetër kauzë, nuk shkon kjo gjë. Vizionet politike janë ato që janë dhe kjo është e bukura e Shqipërisë në krahasim me të vendet e tjera. Po hajde të diskutojmë për thelbin e problemit. Ne si LSI përpiqemi me mundësitë tona politike për të lëvizur sa më shpejt në marrjen e statusit dhe zgjidhjen e një sërë problemeve të tjera të qenësishme. Në 100 vitet e fundit politika botërore e majtë dhe djathtë është ndarë për ideologji dhe s’ka fituar asgjë, ne se kemi këtë luks tani. Debatin për taksat, e sheshtë apo progresive, do të ishte e mirë që ato që janë të paguheshin si fillim, shtet pa taksa nuk ka. Kemi gjëra shumë më substanciale për të diskutuar”- deklaroi më tej nënkryetari i LSI-së, Ylli Manjani.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›