Homazhe në nderim të Qazim Sejdinit, Balla: Bëri gjithçka mundi për Elbasanin

TIRANË, 13 qershor/ATSH/ Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka marrë pjesë sot në homazhet që po mbahen në teatrin “Skampa”, në nderim të ish-kryetarit të bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini, i cili ndërroi jetë një ditë më parë pas një sëmundjeje të rëndë.
Ish-kryebashkiaku socialist është ndarë nga jeta në moshën 73-vjeçare. Qazim Sejdini ka qëndruar në krye të bashkisë së Elbasanit për tre mandate nën siglën e Partisë Socialiste.
“Jam shumë i prekur nga ky largim i parakohshëm i një miku të mirë si Qazim Sejdini. Kam punuar për kohë të gjatë bashkë me të në dobi të zhvillimit të Elbasanit, qoftë si prefekt, e pastaj si kryetar i bashkisë për tre mandate,” tha Balla.
Ministri i Brendshëm nënvizoi se Sejdinin e karakterizonte qetësia dhe dashuria e tij për qytetin e Elbasanit. Sipas Ballës, Sejdini ka bërë gjithçka ka mundur në dobi të zhvillimit të Elbasanit, duke përçuar mesazhin e bashkëpunimit.
“Pavarësisht ndasive politike, mendoj që Qazim Sejdini u mundua gjatë karrierës së tij politike të përçojë mesazhin e bashkëpunimit në dobi të qytetit. Pra, nëse do doja ta përmblidhja, Qazimi kishte një gjë të veçantë që duhet ta ndjekin edhe të tjerët: punonte çdo ditë në të mirë të qytetit, pavarësisht ndasive politike. Këtë duhet ta vlerësojmë të gjithë,” theksoi Balla.
“Elbasani ka humbur një kryetar bashkie që ka shkruar një pjesë të rëndësishme të historisë së qytetit. Shpreh ngushëllimet e mia jo vetëm familjes Sejdini, por të gjithë qytetit të Elbasanit, që ka humbur një elbasanlli 24-karatësh,” përfundoi Balla.
Po ashtu, në homazhe morën pjesë dhe kryetari i bashkisë Elbasan Gledis Llatja, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, miq, të afërm dhe familjarë të ish-kryebashkiakut.
“Qazimi ka qenë aty që kur shumë prej nesh ishin fillestarë në politikë. Kujtoj gjithmonë me shumë dashuri humorin dhe se si na e bënte me të lehtë ato sfida që na dukeshin të mëdha sa bota. Do ta kujtoj për zemrën e bardhë, batutën e fortë dhe për dashurinë e madhe për ata që punojnë. Ngushëllime familjes dhe qytetarëve të Elbasanit”, tha kryetari i bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj.
Kryetari i bashkisë Elbasan, Gledis Llatja, u shpreh se “punën e tij e ka sot konkrete në të gjitha rrugët e Elbasanit, në sheshin kryesor të qytetit, në kopshte, në shkolla, në çerdhe. Është një politikan që ka bërë luftra jo vetëm në Elbasan, por edhe në politikën e madhe. Është i paharruar. Qazim Sejdini do të mbetet gjatë në kujtesën e Elbasanit. Dua t’i shpreh ngushëllime familjarëve dhe atyre që e kishin mik”, tha ai.
/a.f/r.e/