Komisioni hetimor në shëndetësi, seancë dëgjimore me auditin e KLSH-së

TIRANË, 13 qershor/ATSH-Maela Marini/ Komisioni Hetimor për shërbimet publike të sterilizimit dhe të Check-Up në shëndetësi po zhvillon sot seanca dëgjimore me dëshmitarët e thirrur, përfaqësues të KLSH-së dhe përfaqësues të nismës “Thurje”.
Dëshmitari i parë i thirrur në seancë dëgjimore për të sqaruar rrethana të ndryshme, që lidhen me çështjen është auditi i KLSH-së, Bexhet Zeqiri.
Në fillim të mbledhjes deputetja e Partisë Demokratike Ina Zhupa e konsideroi konflikt interesi praninë në këtë mbledhje të deputetes së PS-së, Milva Ekonomi, e cila ka mbajtur më parë detyrën e drejtoreshës së Fondit të Kujdesit Shëndetësor.
Zhupa theksoi se komisioni sot do të dëgjojë dëshminë e auditit të KLSH-së, mbi sjelljet e Fondit të Sigurimeve të Detyrueshme të Kujdesit Shëndetësor ndaj rekomandimeve të KLSH-së, në kohën kur ky institucion drejtohej nga Ekonomi.
Ndërsa nënkryetari i komisionit Plarent Ndreca u shpreh se po ngatërrohet koncepti i konfliktit të interesit me paanshmërinë.
“Konflikti i interesit lidhet me ushtrimin e një detyre publike me interesat private. Ekonomi ka qenë në detyrë publike, ashtu si edhe KLSH. Për rrjedhojë, nuk ka asnjë konflikt interesi, të interesave private të asnjërit zyrtar. Komisioni nuk ka natyrën e një gjykate klasike. Nuk kemi objekt kontrolli individë të caktuar, por kemi objekt kontrolli çështje të caktuara. Dëshmitari nëse e ndjen se ka papajtueshmëri dëshmie me njërin prej anëtarëve, le ta deklarojë”, tha Ndreca.
Por, duke iu referuar Kodit të Procedurës Penale, Ndreca u shpreh se “nga ligji për komisionet hetimore nuk rezulton papajtueshmëri e dëshmitarëve me anëtarët e komisionit”.
Nga ana e saj, deputetja e PS-së Milva Ekonomi u shpreh se është konsultuar me dokumentet ligjorë që ka prodhuar Kuvendi dhe rezulton se nuk ka konflikt interesi.
“Do ishte e mira të vija me informacione për të ndihmuar këtë komision, me këtë proces pune. Kam pasur detyrën e zv/ministres së Shëndetësisë nga tetori 2013 deri në shkurt 2016. Në periudhën qershor-dhjetor 2015, kam marrë detyrën e drejtores së FSDKSH-së, ka qenë detyrë e komanduar”, tha Ekonomi.
Sipas saj, “duhet kuptuar se si funksionon Fondi vetë, i cili është institucion financiar që zbaton kontrata të caktuara, nuk harton, nuk merr dhe nuk zgjedh kontrata”.
“E kam bërë këtë detyrë duke mos qenë deputete. Kur flasim për konflikt interesi ai vjen kur ti merr mandatin e deputetit. Konflikti i interesit lind në momentin që ti merr mandat deputeti. Unë e kam marrë mandatin në vitin 2017 dhe e vazhdoj deri tani. Për periudhën që flasim s’kam konflikt interesi. Kam ekzekutuar vendimmarrje të tjera, nuk kam marrë unë vendime. Nuk kam qenë në proces formimi të kontratës koncesionare, kam qenë në nënshkrimin e kontratës së financimit që është komplet detyruese, nuk lidhet me hartimin e kontratës. Nuk kam qenë fare në procesin e përzgjedhjes që i është bërë kompanive”, tha Ekonomi.
Pas deklaratave të auditit të KLSH-së në komision, Ndreca e pyeti atë nëse kishte kualifikimet profesionale për auditime të tilla.
“Në dijeninë time ka standarde të caktuara për auditimin e koncensioneve. Pra, ju nuk keni një certifikatë profesionale në fushën e auditimit, vetëm jeni punonjës i KLSH”, tha Ndreca, teksa audituesi pranoi që kishte mbaruar studimet e larta në Universitetin Bujqësor të Tiranës dhe punonte në Kontrollin e Lartë të Shtetit prej vitit 2005.
Pas debatesh me përfaqësuesit e opozitës, mbledhja u ndërpre me dakordësinë e dy palëve për një pushim të shkurtër.
/r.e/