Homazhe për Kodrën e Moisiun
Homazhe kushtuar Ibrahim Kodrës janë mbajtur dje me rastin e 92-vjetorit të lindjes së piktorit të madh shqiptar. Për ta nderuar, dashamirësit dhe miqtë kanë qenë të pranishëm në shtëpinë muze të tij në këtë ceremoni të organizuar prej fondacionit që mban emrin e tij. Apartamenti i postkubistit të shquar është hapur disa muaj pas vdekjes së piktorit në vitin 2006. Ai është vënë në dispozicion të publikut, i cili ka mundësi të shijojë aty disa vepra të papublikuara, si dhe disa punime të fundit të pafirmosura të artistit të madh shqiptar. Ndërkaq, fondacioni “Ibrahim Kodra” ka ndërmarrë edhe të tjera veprimtari, veç atyre kushtuar personalitetit prej të cilit ka marrë edhe emrin. Kështu, drejtuesi i këtij fondacioni, Faslli Haliti, ka bërë me dije se ka përfunduar edhe restaurimi i varrit të aktorit të madh shqiptar, Aleksandër Moisiu. “Ne prej disa kohësh po mendonim që të bënim diçka për restaurimin e varrit të Moisiut të madh, dhe arritëm ta realizonim pikërisht këtë vit, kur shënohet edhe 75-vjetori i vdekjes së tij”, vijon më tej Haliti. Me rastin e përmbushjes së iniciativës së ndërmarrë në këtë përvjetor të aktorit, pasditen e djeshme janë zhvilluar homazhe në varrezat e Morocote-s në Lugano të Zvicrës, ku edhe prehet trupi i tij. Shqiptarë të Italisë, por edhe të Zvicrës, e kanë bërë tashmë traditë që të shkojnë çdo vit për të kryer homazhe pranë varrit të këtij artisti të madh shqiptar. Ndoshta një prej arsyeve që anëtarët e fondacionit “Ibrahim Kodra” i kushtojnë këtë vëmendje të veçantë edhe Aleksandrit të madh shqiptar, është edhe fakti se piktori kishte një admirim të madh për këtë aktor. Ai pati fatin ta njihte nga afër. Në një intervistë, pyetjes se përse i pëlqente kaq shumë Lugano, Kodra i është përgjigjur: “Këtu është edhe varri i aktorit të madh me origjinë kavajase, Aleksandër Moisiut. Me Aleksandrin jam takuar këtu shumë herët, në vitet e Luftës së Dytë. Takoheshim darkave dhe pinim verë ‘Kallmeti’. Varri i tij prehet në kodrat e Vico-Morcotes, mes qiparisave që kemi mbjellë unë dhe disa shqiptarë të tjerë që jetojnë këtu në Zvicër. O Zot, çfarë zëri mahnitës kishte ai njeri…”.
#