Ankaraja, negociatore mes Serbisë dhe Bosnjës
Turneu diplomatik që ministri i Jashtëm turk, Ahmet Davutollu, vazhdon që në krye të javës ka rezultuar me vendimin për mbajtjen e një samiti kritik. Presidentët e Turqisë-Serbisë dhe Bosnjë-Hercegovinës të shtunën do të realizojnë një takim tresh në Stamboll, njoftoi sot televizioni publik turk TRT. Pas përfundimit të kontakteve në Azerbajxhan dhe Iran, Davutollu kishte kaluar në Serbi dhe ndoqi një diplomaci ecejake në trekëndëshin Beograd-Sarajevë-Uashington. Më herët Turqia ka arritur të realizojë 6 herë takimin e ministrave të Jashtëm të Bosnjë-Hercegovinës dhe Serbisë, kurse tani do të mirëpresë në Stamboll samitin tresh. Pas Beogradit, stacioni i radhës i turneut të vizitave të Davutollusë ishte Brukseli. Sipas parashikimeve, Davutollu do të shoqëronte Kryeministrin Rexhep Tajip Erdoan gjatë vizitës në Itali, por e kishte kthyer timonin drejt Brukselit me shtyrjen e vizitës për shkak të diskutimeve që bëhen në Parlamentin turk për paketë kushtetuese. Pjesë e axhendës së takimeve të Davutollusë në Bruksel ishin procesi i reformave dhe mendimet kushtetuese në Turqi, si dhe dosja e Iranit. Davutollu pati takime me Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Europian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Catherine Ashton dhe komisionerin e zgjerimit dhe politikës europiane për Fqinjësinë, Stefan Füle.
Në darkë Davuollu nga Brukseli kaloi në një stacion tjetër, në kryeqytetin Talin të Estonisë për të marrë pjesë në takimin informal të ministrave të Jashtëm të NATO-s.
#