Miku i Papës jep dorëheqjen: Kishte keqtrajtuar të rinjtë
Një mik i afërt dhe aleat i Papës ka dhënë dje dorëheqjen pas akuzave për abuzime ndaj fëmijëve. Peshkopi Walter Mixa i Augsburgut në Gjermaninë e Jugut e ka mohuar për javë të tëra faktin se ai kishte përdorur dhunë ndaj të rinjve, por më pas peshkopi nga Bavaria ka pranuar se mund t’u ketë rënë fëmijëve 10 vjet më parë kur ka qenë prift. Disa nga viktimat, që tashmë janë të rritur thonë se ai i ka goditur ata në fytyrë me gjithë fuqinë që kishte dhe i ka rrahur pa mëshirë në lëkurë të zhveshur. “Satanai është brenda jush dhe unë duhet që ta nxjerr atë jashtë”. Në letrën e tij të dorëheqjes drejtuar Papës peshkopi shkruan: “Unë u kërkoj falje gjithë atyre ndaj të cilëve mund të kem qenë i padrejtë dhe atyre që mund t’u kem shkaktuar dhimbje”.
Peshkopi 68-vjeçar tha se ishte plotësisht i ndërgjegjshëm për dobësinë e tij dhe do të bashkëpunonte edhe me hetuesit. Një deklaratë e lëshuar nga dioqeza thoshte se “Me dorëheqjen e tij peshkopi kërkohet që të shmangë dëme të mëtejshme ndaj kishës dhe të japë mundësinë e një fillimi të ri”.
Si për t’i shtuar akoma më shumë probleme situatës së peshkopit një hetues i posaçëm ka gjetur edhe parregullsi financiare. Akuzat ndaj tij nuk kanë të bëjnë me abuzime seksuale e megjithatë, peshkopi që ishte caktuar në këtë detyrë në vitin 2005 nga vetë Papa është një figurë me shumë kundërshti që është përpjekur që të shpjegojë pedofilinë në kishë duke fajësuar situatën e lirive seksuale.
Peshkopi i dorëhequr ka qenë shumë mik i Racingerit dhe dorëheqja e tij do të jetë një tjetër goditje për Papën, i cili të mërkurën u kërkoi ndjesë viktimave të abuzimeve. Sipas Vatikanit, Papa vetë e ka pranuar dorëheqjen edhe të një peshkopi irlandez i akuzuar për mbrojtjen e priftërinjve pedofilë në dioqezën e Dublinit. Ai është peshkopi i tretë që ka dhënë dorëheqjen.
#