Homazhe për ish presidentin Nishani, politikanë e kolegë i japin lamtumirën e fundit! Berisha: Humbën një prej shtetarëve më dinjitoz

Në sallën “Skënderbeu” në Presidencë po zhvillohen homazhet për ish presidentin Bujar Nishani i cili u nda nga jeta më 28 maj. Homazhet në nder të tij do të mbahen për dy ditë sot dhe nesër (1 dhe 2 qershor), ku janë të shumtë miqtë, kolegët dhe politikanët që i kanë dhënë atij lamtumirën e fundit dhe u kanë shprehur ngushëllimet familjarëve.
Homazhet u kryen edhe nga ish kryeministri Sali Berisha, i cili tha mediat se shteti shqiptar humbi një nga shqiptarët më dinjitoz. Ai u ka shprehur ngushëllimet familjarëve, ndërsa shtoi se ka humbur një nga bashkëpunëtorët e tij më të çmuar.
“Isha për të shprehur nderimin tim më të madh, për të ndarë me Odetën, Ersin dhe Fjonën, zinë e kësaj gjëme të madhe që ju ka rënë atyre, miqve dhe të afërmve të tyre dhe mbarë qytetarëve shqiptarë të cilët kanë parë tek Bujar Nishani një qytetar shembullor. Familja, një prind të shkëlqyer, një bashkëshort dhe baba fisnik. Shteti shqiptar, një nga shtetarët më dinjitoz, në tërë historinë e tij. Shoqëria shqiptare dhe shqiptarët, njërin nga shërbëtorët më të përkushtuar të tyre. Nishani në dekada, ka qenë një nga bashkëpunëtorët e mi më të çmuar, me të cilin më lidhi jo vetëm bashkëpunimi i ngushtë, por edhe një miqësi e përsosur, një miqësi që nuk njohu ndonjëherë asnjë lloj të themi rënie, përkundrazi, erdhi gjithnjë në forcim. Kujtimet për Bujar Nishanin janë të shumta dhe ai sot fizikisht nuk është më midis nesh, por e vërteta është që shpirtërisht ai është gjallë, është përjetësisht i gjallë në memorien time dhe të gjithë atyre që patën fatin e madh ta njohin atë si bashkëpunëtor, mik, të familjes që pati një bashkëshort dhe prind të tillë dhe të mbarë shqiptarëve. Ndaj dhe duke ndarë sot dhimbjen dhe zinë në familjen Nishani, miqtë dhe të afërmit e tij shpreh ngushëllimet e mia atyre, shqiptarëve që humbën sot ish-kreun e shtetit që i dha në atë detyrë dinjitet të madh, institucionit të Presidentit, por dhe mbarë shqiptarëve. I paharruar dhe i përjetshëm do mbetet kujtimi i tij”, tha Berisha.
Kane qenë të shumtë emrat që kanë nderuar për herë të fundit mikun dhe bashkëpunëtorin e tyre Bujar Nishani. Kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi, ish-ministri i Financave Genc Ruli, Eno Bozdo, Edi Paloka, Said Dollapi dhe shumë personazhe të tjerë politikë në radhët e PD kanë kryer homazhet për Nishanin.
Bujar Nishani ndërroi jetë në një spital në Gjermani. Ai vuante nga një sëmundje autoimune e mëlçisë dhe pasojat që i la COVID-19 përkeqësoi gjendjen e tij. Trupi i pajetë i ish-Presidentit Bujar Nishani mbërriti në atdhe gjatë orëve të para të mëngjesit dhe do të prehet në varrezat e Sharrës në Tiranë.
/rtsh.al/