Homazhe për ish-presidentin Ramiz Alia
Ish-presidenti i parë pluralist pas viteve 90, Ramiz Alia do të përcillet sot për në banesën e fundit ndërsa homazhet për nder të tij po zhvillohen në Shtëpinë Qëndrore të Ushtrisë. Vonesat për varrimin e Ramiz Alisë janë kushtëzuar nga ardhja e dy fëmijëve të tij që jetojnë jashtë vendit.
Edhe pse për ish-presidentin e Shqiprisë protokolli i shtetit ka zhvilluar një ceremoni zyrtare, Ramiz Alisë do t`i jepet lamtumira e fundit pa të shtëna armësh dhe pa bandë nderi e truprojë dhe trupi i tij do të niset drej varrezave të Sharrës.
Nuk dihet ende nëse ndonjë përfaqësues i lartë i shtetit do ta nderojë ish-liderin e fundit komunist, qoftë edhe për kortezi por deri tani homazhe kanë zhvilluar, kreu i grupit parlamentar të PS-së Gramoz Ruçi, dhe një prej figurave historike të PS-së, Sërvet Pëllumbi, deputeti Namik Dokle, politikani Xhufi.
Presidenti i parë shqiptar i shtetit pluralist Alia ndërroi jetë rreth orës 07:00 të ditës së premte në spitalin e Senatoriumit në kryeqytet pasi ka pësuar trombozë ndërsa vuante prej kohësh nga trenboembolia pulmonare dhe për këtë arsye ai ndodhej në spital prej 4 ditësh.
Ramiz Alia ka lindur më 18 tetor 1925. Është me orgjinë nga Gjakova e Kosovës, lindi në Shkodër, u arsimua në Rusi dhe prej 70 vitesh jeton në kryeqytet.
Ai është ndër të rrallët politikanë që ka jetuar tre epoka në Shqipëri. Atë të Luftës Antifashiste si partizan, të sistemit komunist si kuadro i Partisë e deri në udhëheqës i gjithë sistemit, si dhe atë të demokracisë, si President i parë pluralist i vendit.
Detyrat më të rëndësishme të Ramiz Alisë kanë qenë, ajo e sekretar të Parë të KQBRPSH (1949-1955), ministër i Arsimit dhe Kulturës (1955-1958), anëtar i Byrosë Politike dhe sekretar i KQ PPSH-së për ideologjinë (1961-1985), deputet, kryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor (1982-1990), sekretar i Parë i KQ të PPSH-së (1985-1991) dhe kryetar i Këshillit Presidencial (1991).
Për nëntë vite, nga 1982 deri më 1991 ka mbajtur funksionin e kryetarit të shtetit në regjimin komunist. Në këto vite posti i presidentit funksiononte si organ kolegjial dhe quhej Presidium i Kuvendit Popullor. Alia e mori këtë post pas Haxhi Lleshit.