Homazhe për nder të ish-ministres së kulturës Uruçi
Janë zhvilluar sot homazhet për nder të ish-ministres së kulturës Esmeralda Uruçi e cila ndërroi jetë ditën e djeshme. Homazhet janë zhvilluar në Teatrin e Operas dhe Baletit ndërsa rreth orës 11:00 trupi i pajetë i saj është përcjellë për në banesën e fundit.
Ish-ministrja e Kulturës, Esmeralda Uruçi, ndërroi jetë ditën e djeshme në moshën 51-vjeçare në spital, ku ndodhej e shtruar pas një aksidenti që kishte pësuar më 17 dhjetor 2011 me bashkëshortin e saj.
Ish-ministrja e Kulurës gjatë qeverisjes së socialistëve Esmeralda Uruçi dhe i shoqi u plagosën ndërsa udhëtonin me automjetin e tyre në autostradën Tiranë – Durrës. Ata janë përplasur me një automjet tjetër, me targa TR 6058 K, i cili është larguar nga vendi i ngjarjes pas aksidentit.
Esmeralda Uruçi ka drejtuar Ministrinë e Kulturës në vitet 1999 – 2001 në kohën kur qeverisnin socialistët dhe respektivisht Kryeministrat Pandeli Majko dhe Ilir Meta. Ajo u largua nga kabineti në vitin 2001 kur në kye të qeverisë u zgjodh Fatos Nano.
Me krijimin e partisë së re të Ilir Metës, Uruçi u angazhua duke drejtuar LSI-në në Shkodër, por më pas vendosi që të japë dorëheqjen. Ajo ka qenë lektore në disa universitete të vendit, dekane e Fakultetit të Ekonomisë dhe drejtore e Marrëdhënieve me Publikun në Bankën e Shqipërisë. Është autore e disa teksteve universitare dhe botimet brenda dhe jashtë vendit përbëjnë veprimtarinë publicistike me tema që kryesisht prekin probleme ekonomike të periudhës së tranzicionit.