Homazhet për 21 janarin, lule në fotografitë e viktimave
Ka nisur homazhi i opozitës së bashkuar në “Bulevardin dëshmorët e Kombit”në përkujtim të 4 viktimave të 21 janarit të 2011, Aleks Nikaj, Faik Myrtaj, Ziver Veizi dhe Hekuran Dedës. Nën drejtimin e lidershipit të PS, deputetëve socialistë dhe aleatëve të tyre kanë nisur marshimin të ndjekur nga dhjetëra qytetarë, të cilët me lule në duar dhe fotografitë e katër viktimave po shkojnë drejt vendit ku të ndjerët u vranë. Të shoqëruar nga tinguj të muzikës fonebër po marshojnë drejt Kryeministrisë, më pas përfaqësuesit e opozitës dhe qytetarët do të vazhdojnë sërish në këmbë drejt Akademisë së Arteve, ku pritet të mbahen edhe fjalime përkatëse për këtë rast.Në këtë kontekst një ditë më parë Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vendin tonë në një mesazh zyrtar u kërkoi qytetarëve që ti shmangen tensioneve, pasi sipas saj ndonëse ajo është paralajmëruar si paqësore, situata mund të degjenerojë në dhunë, nisur nga përvoja e një viti më parë.