Një vit nga 21 janari, sot opozita protestë-homazh në bulevard
Një vit nga demostrata e 21 janarit të 2011, ku mbetën të vrarë 4 protestues , opozita e bashkuar do të realizojë një homazh përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit” për të nderuar mbështetësit që dhanë jetën në demonstratën socialiste.
Marshimi-homazh është parashikuar të nisë në orën 11:00 ku deputetë e eksponentë të lartë të selisë rozë së bashku me aleatët e tyre, familjarë të viktimave, socialistë e qytetarë të ardhur nga në rrethe të ndryshme do të parakalojnë në heshtje për të nderuar 1 vit pas vdekjes 4 të ndjerët që humbën jetën në 21 janar.
Do të jetë një protest homazh dedikuar lezhjanit Aleks Nikaj, fierakut Faik Myrtaj, gjirokastritit Ziver Veizi dhe Hekuran Dedës i cili iu bashkua protestës pas daljes nga shtëpia e tij në Laknas të Tiranës, për të mos u kthyer më në banesë.
Burime zyrtare nga Partia Socialisite bëjnë me dije se i gjithë aktiviteti do të shoqërohet nga muzikë fonebër, ndërsa qytetarët do të ndalen në vendet ku 4 viktimat humbën jetën për ti mbuluar me lule e qirinj, vendet e fundit ku ata dhanë shpirt. Më pas përfaqësuesit e opozitës dhe qytetarët do të vazhdojnë sërish në këmbë drejt Akademisë së Arteve, ku pritet të mbahen edhe fjalime përkatëse për këtë rast.
Në këtë kontekst një ditë më parë Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vendin tonë në një mesazh zyrtar u kërkoi qytetarëve që ti shmangen tensioneve, pasi sipas saj ndonëse ajo është paralajmëruar si paqësore, situata mund të degjenerojë në dhunë, nisur nga përvoja e një viti më parë.