E Enjte, 5 Nëntor 2026

Homazhet për Nishanin, Balla: Tregoi respekt për Kushtetutën! Alibeaj: Përcillte sinjale paqeje

Homazhet në nder të ish presidentit Bujar Nishani zhvilluan edhe kabineti qeveritar dhe kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, i cili tha për mediat se Nishani do të mbahet mend si presidenti që diti të tregojë respekt për Kushtetutën.

“Bashkë me kolegë, ministra e deputetë, kemi qenë sot në Presidencë për të dhënë lamtumirën e fundit një shtetari të respektuar si Bujar Nishani. Unë kam pasur mundësinë të punojmë së bashku edhe si kundërshtarë politikë në Kuvend, jemi zgjedhur të dy njëkohësisht më 2005. Do ruaj gjithmonë respektin për Bujar Nishanin si kundërshtar, por natyrshëm edhe si një personalitet i respektuar, që erdhi nga fusha ushtarake, por që diti të tregojë disa herë me radhë respektin ndaj kushtetutës dhe institucioneve të vendit. Gjatë ushtrimit të tij të detyrës si President, Nishani pati momentet e duhura kur tregoi respektin ndaj Kushtetutës dhe institucioneve. I shpreh, bashkë me kolegët e mi të PS, ngushëllimet më të sinqerta. Nuk qe e shkruar që Bujari t’ia kalonte edhe njëherë një beteje për jetën, por vlerësimi mbetet maksimal”, tha Balla.

Edhe kreu i grupit parlamentar i PD-së, Enkelejd Alibeaj tha se iku një pjesë e historisë që përcillte vetëm mesazhe paqeje.

“Ikja e një copëze historie, ikja e një copëze politike të një burri të urtë, të qetë që lëshonte vetëm sinjale paqeje dhe mirësie, të pakta janë këto sinjale në botën tonë të trazuar, kjo e bën më të madhe humbjen, shpirti i tij të jetë në parajsë, Zoti i dhëntë forcë bashkëshortes dhe familjes së tij”, tha Alibeaj.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›