4 ish presidentë homazhe në nderim të Nishanit: Humbje e madhe për shtetin shqiptar

Homazhet në nderim të ish presidentit Bujar Nishani janë zhvilluar edhe nga 4 ish presidentë, Rexhep Meidani, Alfred Moisiu, Bamir Topi dhe ish-presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu. Në nderim të figurës së Nishanit, ish presidentët lanë edhe shënimet e tyre në librin e Kujtimeve.
Ish-presidenti Alfred Moisiu tha se Nishani ka qenë presidenti më i mirë në zbatim të Kushtetutës, ndërsa Bamir Topi e cilësoi një ditë të trishtë ndarjen e tij nga jeta.
“Mund të them që ka qenë president i mirë i përkushtuar për detyrën dhe për të zbatuar kushtetutën. Më vjen keq për këtë humbje të parakohshme për një njeri që ka kontribuar për vendin tonë.”, tha Moisu
“Sigurisht ishte një ditë e trishtuar për më tepër kur largohet në një moshë kaq të re duke i lënë një hidhërim të thellë familjes. E kam njohur rreth 22 vite më parë. La mbrapa një vepër shumë komplekse. I lehtë i qoftë dheu”, u shpreh Topi.
Edhe ish presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu e cilësoi një humbje të madhe për shtetin shqiptar ndarjen nga jeta në mënyrë të parakohshme të Bujar Nishanit.
“Është një humbje e madhe për shtetin shqiptar. Ka ditur që të prezantoj Shqipërinë në më të mirën e mundshme. Ne nuk kemi qenë në të njëjtën kohë president të vendit, por e ndjej veten me privilegj që kam njohur një njeri kaq fisnik. Një humbje që do të mbahet mend me pjesën e qetësisë që ai mori me vete. I qoftë i lehtë dheu shqiptar”, tha Sejdiu.
/rtsh.al/