E Enjte, 5 Nëntor 2026

Lamtumirë Bujar Nishani! Ish presidenti përcillet për në banesën e fundit me ceremoni zyrtare! Miq e politikanë, homazhe në nder të tij

Bujar Nishani do të prehet në varrezat e Sharrës. Ish presidenti u përcoll me ceremoni zyrtare ku miq, kolegë e politikanë të të gjitha kaheve politike zhvilluan homazhet në Presidencë në nder të tij duke vlerësuar kontributin që tha në të mirë të interesat tonë kombëtar.

Me qindra njerëz përcollën kortezhin mortor të Nishanit, i cili doli për herë të fundit nga dera e Presidencës. Në lamtumirën e fundit nuk munguan edhe personalitete përtej Shqipërisë, që nga ato të Kosovë e Maqedonisë së Veriut, por edhe më gjerë.

Në nder të tij sot është shpallur ditë zie kombëtare ku flamuri shqiptar është ulur në gjysmështizë për të nderuar figurën dhe kontributin e Bujar Nishanit për vendin. 

I pari që zhvilloi homazhe ishte presidenti Ilir Meta, i shoqëruar nga vajza e tij Bora Meta duke vendosur dhe kurorën me lule pranë arkëmortit. Meta ka lënë edhe një shënim në bllokun e kujtimeve për  Nishanin, ndërsa në krahë mbante shiritin e zi.

Të shumtë ishin edhe familjarët dhe miqtë e tij të cilët kryen homazhet në nderim të Nishanit. Homazhet u kryen edhe nga ish kryeministri Sali Berisha i shoqëruar nga bashkëshortja e tij Liri Berisha,  nga kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, të cilët më pas lanë nga një shënim në librin e kujtimeve.

Nderimet për ish presidentin Nishani nuk munguan as nga deputetët dhe ministra të PS, që nga Taulant Balla, Ulsi Manja, Ogerta Manastirliu, Evis Kushi, Elisa Spiropali, Milva Ikonomi.

Në homazhe nuk munguan as disa nga deputetët e PD dhe anëtar të Partisë Demokratike si Edith Harxhi, Ervin Salianji, Agron Gjekmarkaj, Grida Duma, Ervin Kulluri. Edhe Mesila Doda e PDIU-së iu bashkua homazheve. Nderimet për Nishanin u kryen edhe nga Luan Baçi, Oert Bylykbashi, Luçiano Boçi, Tritan Shehu, Edi Paloka, Agron Shehaj, Enkelejd Alibeaj e të tjerë.

Në homazhe ishte edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë Lindita Nikolla.

Edhe ambasadorja amerikane Yuri Kim dhe Princ Leka kanë kryer homazhe në nderim të ish-presidentit Bujar Nishanit.

Bujar Nishani ndërroi jetë në një spital në Gjermani. Ai vuante nga një sëmundje autoimune e mëlçisë dhe pasojat që i la COVID-19 përkeqësoi gjendjen e tij. 

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›