E Enjte, 5 Nëntor 2026

Nishanit i jepet lamtumira e fundit, Meta: I peshonte fjala, punoi me devotshmëri për interesin kombëtar

Në mbyllje të homazheve për ish presidentin Bujar Nishani, presidenti Ilir Meta mbajti fjalën e fundit të lamtumirës për të duke nderuar kontributin e tij për të ardhmen europiane të Shqipërisë.

Meta tha se Nishani punoi me devotshmëri për projektet strategjike dhe integrimin e Shqipërisë, ndërsa forcoi frymën e tolerancës fetare dhe zhvillimin demokratike e interesit kombëtar.

“Faleminderit të gjithëve për praninë tuaj sot për të nderuar dhe dhënë lamtumirën e fundit. Fundit i papritur dhe i parakohshëm lë plot pengje për mundësitë e humbura për ato që nuk u thanë e nuk u bënë dot, ndaj dhimbjen e humbjes së njerëzve të shtrenjtë e bën më të madhe, por na ngushëllon fakti që Nishani pati një jetë plot maja realizimesh, i rrethuar nga dashuria e familjes së prindërve dhe më pas i familjes që krijoi me Odetën. Këto ditë ka pasur vlerësime më se të merituara, në Shqipëri dhe përtej. Presidenti Nishani punoi me devotshmëri, për projektet strategjike, të integrimit europian dhe euroatlantik të Shqipërisë. Presidentit Nishani i peshonte fjala. I njohur për maturi e vetëpërmbajtje, ai çmoi përulësi në komunikimin njerëzor, tipare që i mbetën të pandryshuar gjithë jetën. Si Kryetar i Shtetit, ai punoi me përkushtim të rrallë në mbrojtje të Kushtetutës. Ai punoi për të forcuar frymën e tolerancës dhe bashkëjetesës fetare në vend. Ju përkushtua kombit tonë. Besoi deri në fund tek e mira demokratike dhe interesi kombëtar. Bujar Nishani ushqente një dashuri të veçantë për Kosovën dhe e mbështeti fort. Presidenti Nishani pati një bashkëpunim të shkëlqyer me të gjithë faktorin shqiptar në rajon. Ai e përfaqësoi denjësisht Shqipërinë në arenën ndërkombëtare. Sot, në ditën e lamtumirës ne e falënderojmë Presidentin Nishani për modelin që solli. I paharruar qoftë kujtimi i tij”, tha Meta.

Trupi i ish presidentit Nishani do të përcillet me ceremoni zyrtare drejt banesë së fundit në varrezat e Sharrës në Tiranë.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›