E Shtunë, 31 Tetor 2026

Homazhet vetëm në Institut, jo edhe para Kryeministrisë

Dje në shtëpinë e familjes Bejko, arkivoli me trupin e të ndjerit

Mbërriti në atdhe trupi i ish-të burgosurit politik Lirak Bejko, i cili humbi jetën mesditën e 2 nëntorit, në një nga spitalet e Barit, në Itali. Në orën 08:00 trageti “Klaudia” u ndal në Portin e Durrësit, ku familjarët dhe bashkëvuajtësit e Bejkos në burgjet e diktaturës tërhoqën arkivolin për t’u nisur drejt Tiranës. Ata e ngjitën trupin e të ndjerit në katin e pestë të një prej pallateve të bllokut “Gintash” në Laprakë, aty ku prej dekadash jeton nëna dhe një nga vëllezërit e Bejkos. Pas hyrjes së kufomës në shtëpi, familja e deklaroi mortin të hapur, ku menjëherë nisën vizitat ngushëlluese për herë të dytë, pasi herën e parë (përgjatë 3 ditëve) ishin zhvilluar pa trupin e të ndjerit. Ish-të burgosurit politikë krijuan radhë të gjatë për ngushëllime, pasi shumë prej tyre kishin ardhur nga rrethet. Ata u lajmëruan që ditën e sotme pranë Institutit të Ish-të Përndjekurve do të zhvillohen homazhe për nder të Bejkos, nga ora 11:00-13:00. Kreu i ish-të burgosurve politikë, Skënder Tufa, deklaroi se “është kontaktuar Policia e Shtetit dhe është marrë leja. Do të bëjmë homazhe në Institut dhe dera është e hapur për të gjithë”. Për gazetën “Panorama”, Tufa sqaroi se arkivoli me trupin e Bejkos nuk do të kalojë nga Kryeministria dhe as do të bëhet ndonjë protestë, siç është dëgjuar këto ditë. “Do ta nderojmë siç i takon, si hero, por nuk do të bëjmë politikë në varrimin e tij”, u shpreh Tufa. Të njëjtën ide ka thënë edhe kreu i Institutit, Simon Miraka, edhe pse ai ka kërkuar që asnjë politikan të mos shkelë nesër në këtë godinë, përveç Presidentit, që është mbi palët. Kjo deklaratë nuk është pëlqyer aspak nga kryetarja e grupit të punës për ish-të Përndjekurit në PS, Keti Bazhdari. “Askush nuk ndalon askënd për ta nderuar dhe respektuar Lirak Bejkon. Ai është dëshmor i vërtetë i demokracisë, që la gjithçka për t’iu bashkuar kauzës”, tha ajo. Në familjen Bejko ngushëlluan dje edhe politikanë të tjerë, por të paktë në numër, siç ishin: Spartak Ngjela, Bamir Topi, Aleksandër Biberaj, Gazmend Oketa etj.

Topi: Ngushëllimet janë traditë
Kreu i FRD-së, Bamir Topi, zhvilloi pasditen e djeshme homazhe te familja e Lirak Bejkos, ku në dalje tha: “Përmasat e dramës janë direkte. I shprehëm ngushëllimet tona, ato janë absolutisht njerëzore dhe çdo njeri sot e analizon vetë. Bëmë një bisedë njerëzore, një vizitë sikurse është tradita e shqiptarëve që shkojnë dhe ngushëllojnë në shtëpinë e të ndjerit”.

ELISABETA ILNICA

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›