Kukës, në qytetin që vuan çdo natë mungesën e dritave

Një nga protestat e banorëve për mungesën e energjisë
Mungesa e energjisë elektrike në Kukës po kthehet në makth, jo vetëm për debitorët, por për gjithë konsumatorët, pavarësisht nëse i shlyejnë faturat ose jo. Është kthyer në një ritual të përnatshëm futja te nënstacioni i uzinës apo bllokimi i autostradës nga banorët e komunave Tërthore dhe Shtiqën. Banorëve CEZ-i u ka ndërprerë dritat prej 10 ditësh, ndërkohë që këta të fundit nuk shlyejnë për shkak se pronat e tyre janë përmbytur nga ujërat e Fierzës dhe nuk janë dëmshpërblyer nga shteti. Tashmë situata është rënduar shumë dhe tek ato familje që kanë të sëmurë në shtëpi. Në shumë lagje mungon dhe uji i pijshëm, sepse ujësjellësit punojnë me energji elektrike. Mungesa e energjisë elektrike po jep efekt edhe te nxënësit e shkollave. Ata që mësojnë në turnet e pasdites edhe në qytet duhet të ndërpresin shkollën në momentet kur ikin dritat, ndërsa të tjerë e kanë shumë të vështirë të përvetësojnë programet mësimore në errësirë. Çdo pasdite banorët e fshatrave i drejtohen nënstacionit në formë proteste. Pikërisht në këto momente ulen çelësat për të gjithë qarkun, duke paralizuar çdo gjë në Kukës. Të vetmet që i “mbijetojnë” krizës së dritave, janë disa institucione të rëndësisë së veçantë, si spitali, dogana apo tuneli, që veprojnë me linja të veçanta apo me gjeneratorë. Kryetari i komunës Tërthore, Rraman Dema, thotë se 6 fshatrat prej 10 ditësh janë në errësirë, duke e bërë situatën të padurueshme. “Duhet gjetur zgjidhja mes bisedimeve, ku të përfshihen banorët, pushteti vendor, CEZ-i dhe shteti. Në komunë kemi situatë të rëndë. Ndërprerjet në total janë të pafalshme. Kemi paguar për pompat e ujësjellësve dhe ata nuk punojnë se s’ka energji. Jo të gjithë janë debitorë. Kemi problem në shumë familje, po ashtu ka problem te nxënësit e shkollave që nuk kanë mundësi të mësojnë, duke shtuar se këto mungesa kanë sjellë dhe tensione sociale dhe protesta nga banorët. Janë rreth 220 ha tokë nga më e mira që është përmbytur nga Fierza dhe banorët nuk janë kompensuar. Duhet gjetur zgjidhja. Kjo situatë është e padurueshme dhe nuk dihet se ku do na çojë. Duhet të rikthehen dritat sa më parë dhe të nisë dialogu”, ka thënë Dema. Në fakt, situata është problematike në gjithë rrethin, pasi në darkë thuajse vazhdimisht energjia elektrike mungon për gjithë Kukësin, nga ndërprerja e detyruar në nënstacion. Energjia kthehet vetëm për pak kohë, derisa shpërndahen protestuesit, për të ikur sërish pak minuta më vonë.
Ikin dritat, hajdutët vjedhin telat
Ndërprerja e dritave në Kukës ka bërë që të përfitojnë elementë keqbërës. Persona të paidentifikuar kanë vjedhur ditët e fundit rreth 1500 metra linear kabllo përcjellës të energjisë elektrike. Ata kanë shfrytëzuar faktin e shkëputjes së energjisë dhe kanë vepruar të qetë, pa u vënë aspak në rrezik për jetën, pasi në telat e këputur nuk kishte rrymë.