Tirana që (nuk)duam
Në një fushatë parazgjedhore, sado armiqësi dhe urrejtje të ketë midis grupeve, sado zemërim dhe përbuzje, të dyja palët e kandiduara duhet të qëndrojnë jashtë përfaqësimit personal të vetes së tyre, por përfaqësues të njerëzve me të cilët jetojnë dhe të cilëve marrin përsipër tiu shërbejnë. Iniciativa e 31 qytetarëve të Tiranës përpara disa ditëve, të cilët thirrën për debat të dy kandidatët e Tiranës, mbeti e njëanshme, sikurse takimi i parë. Dy kandidatet kishin mundësinë që nëpërmjet mediave ti tregonin popullit të kryeqytetit se çdo të bëjnë, si i gjykojnë punët e vështira të Tiranës e si do ti menaxhojnë ato Basha pati fatin ti shpjegonte këto gjëra, Rama e humbi shansin. Sipas informacioneve që kam ndjekur në media, duket se militantët e Partisë Socialiste mund ta kenë uruar Ramën për mungesën e tij në këtë takim, por shumë simpatizantë të tjerë të kësaj partie (dhe unë mendoj se sjanë pak), nuk e duan këtë mënyrë drastike të sjelljes dhe bashkëpunimit politik. Ajo që duket se po e godet shoqërinë shqiptare më shumë këto dy vitet e fundit, është krijimi i një sjelljeje politike ekstreme: ose je me mua, ose je armiku im. Logjika e socialistëve është që partia e Berishës nuk e meriton as ti hedhësh sytë. Si qytetare e Tiranës trembem edhe pas përfundimit të zgjedhjeve; lufta e klaneve do të vazhdojë – këtë e marrim me mend – por si do ta rikuperojnë partitë psikologjinë e armiqësisë që kanë krijuar midis palëve, apo nuk do ti bëhet vonë fare për këtë? Edhe nëse kjo lloj filozofie do të spostohet në plan të dytë, përsëri është një virus që mund ta humbë përkohësisht aktivitetin, por në rastin më të parë do të veprojë dhe do të shkatërrojë. Politikanët në Shqipëri nuk mendojnë për strukturat afatgjata të psikologjisë politike dhe shoqërore të miletit, që janë një bazë e rëndësishme e formimit demokratik. Ndarja e shoqërisë shqiptare në këta muaj është e frikshme: njerëzit mezi presin të lexojnë shtypin dhe të shohin televizionin që të mund të shfryjnë dhe të shajnë. (Kam asistuar nëpër ndërmarrje punëtorësh ku zënkat për politikën ekstreme arrijnë përmasa qesharake dhe të frikshme). I gjithë ky intensitet energjie negative ndikon keq nëpër familjet tona dhe sidomos te fëmijët tanë. Sikurse në kohën e diktaturës u edukuam me dashuri ekstreme dhe urrejtje ekstreme, e njëjta gjë po ndodh edhe tani. Nuk ka një maturi dhe qetësi që të vijë nga qytetarët, nga shoqëria. Jemi kthyer në turmë që mezi pret të vihet në radhë. (Një mikesha ime sot më tha se e gjithë kjo trysni politike e panevojshme fyente inteligjencën e saj…).
Duke u rikthyer në takimin me kandidatët për Bashkinë e Tiranës, nuk më interesoi asfare informacioni se kush e kishte organizuar. (Sa për këtë, jemi gjithmonë të aftë të shohim në çdo lloj takimi, tubimi, mbledhje infiltrimin e armikut të jashtëm ose të brendshëm…, pasojë psikologjike e diktaturës), e rëndësishme ishte të shihja të dy kandidatët, të ndieja se jetoj në një sipërfaqe europiane dhe jo në ndonjë hapësirë afrikane. Çdo iniciativë e këtij lloji ka një rëndësi të madhe për ndryshimin e psikologjisë së luftës dhëmb për dhëmb që na servirin politikanët.
Nëse të dy kandidatët do të ishin prezentë në takimin e lartpërmendur, unë kam një pyetje që ka një rëndësi të madhe për të ardhmen e një qyteti dhe të një vendi. Cilat do të jenë politikat sociale të Bashkisë për komunitetet vulnerabël? Çdo të bëhet me fëmijët romë, pamja e pandërprerë e të cilëve nëpër qytet e bën shumë të prekshme dhimbjen (dhe ironinë) njerëzore dhe e transferon qytetin në një tjetër hapësirë të botës? Si do të lehtësohet jetesa e personave me aftësi të kufizuar dhe si do të përshtaten për ta rrugët, trotuaret, ambientet e institucioneve, qendrave të banimit, qendrave kulturore etj.? Çkanë menduar kandidatët për politikat të strehimit të familjeve në vështirësi? Qetësia dhe bashkëpunimi politik i palëve vetëm i ndihmon njerëzit të gjejnë përgjigjen që duan, i zbut tonet dhe nga kjo përfiton qytetari.
Me të drejtë Zef Preçi shkruante dje se është i pamjaftueshëm ballafaqimi me kandidatët përpara zgjedhjeve. Pas zgjedhjeve, Iniciativa qytetare dhe të tjera iniciativa duhet të marrin përsipër tiu kërkojnë llogari bashkiakëve për premtimet e marra dhe aksionet që do të kryejnë. Vetëm kështu mund ta bëjmë disi të përfillshme atë që nuk po e krijojmë dot; elitat e shoqërisë civile, kurajoze dhe të paparagjykuara. Vetëm se kemi nevojë ti kemi përpara vetes të gjithë përfaqësuesit e partive politike. Bashkëpunimi do të na bëjë ta duam Tiranën dhe jo ta përbuzim atë, sikurse kjo ndodh…
