E Diel, 1 Nëntor 2026

Horrori në Korçë, zbulohen 4 zonat ku “fshihet” vrasësi i gruas së copëtuar

SHKRUAN: Irena Vreto 13-08-2011 10:45

Qyteti i Korçës është gdhirë i shokuar dje, pas gjetjes së trupit pa kokë të një femre, në vend-grumbullimin e plehrave. Trupi i përçudnuar, i ndarë prej gjymtyrëve dhe kokës u gjet prej punëtorëve të firmës së pastrimit, por 24 orë pas sinjalit të parë, ngjarja që fshihet pas kufomës është e mbuluar nga misteri. Dëshmitë e punëtorëve që gjetën mes plehrash copat e ndara të trupit të femrës janë tronditëse. Në njërin thes të larë nga gjaku, ata kanë gjetur trupin pa kokë të femrës ende të paidentifikuar, ndërsa në një thes tjetër gjymtyrët e saj. “I kishin prerë gjymtyrët e poshtëm, që nga gjunjët e poshtë. I kanë prerë edhe krahët, duke filluar që nga shpatullat. Sa e pamë lajmëruam policinë menjëherë”,-thotë njëri prej punëtorëve të firmës së pastrimit, që gjeti kufomën. Punëtori tregon më pas se të shokuar, ata kanë lajmëruar menjëherë policinë e Korçës. “Erdhi policia dhe nisi kontrollet në thasët me gjak. Kur e hapi policia njërin thes doli vetëm trupi pa kokën. Madje, shefi i policisë shkeli padashje një thes tjetër dhe aty ishin gjymtyrët e këmbëve. Pra, ishte ndarë dhe copëtuar i gjithë trupi në katër-pesë thasë”, - tha për mediat ai. Gjatë gjithë ditës së djeshme, forca të shumta policie janë vënë në kërkim të kokës së kufomës, si pjesën e domosdoshme për të bërë të mundur identifikimin e saj. Në vendngjarje, një grup i posaçëm hetimor ka grumbulluar provat që ka mundur të zbulojë, ndërsa përveç gjymtyrëve dhe një pjese të trupit kanë gjetur dhe veshjet që kishte patur kufoma, para se të ekzekutohej. Nga konkluzionet paraprake të ekspertëve, dyshohet se krimi që ka lënë pa fjalë qytetin juglindor mendohet të ketë ndodhur brenda territorit të Korçës. “Femra që për ne mbetet ende e panjohur është masakruar fillimisht me thikë. Më pas, trupi i saj është copëtuar nga një sëpatë dhe është ndarë në thasë, për të humbur gjurmët”, - i tha MAPO-s një burim nga policia lokale.

Identikiti i viktimës

Policia e Korçës ka marrë njoftimin për krimin kanibal rreth orës 23.00 të mbrëmjes së enjte nga punonjësit e grumbullimit dhe sistemimit të mbetjeve urbane, që punojnë për firmën e pastrimit “Korsel”. Vendi i grumbullimit të plehrave ndodhet rreth 1.5 kilometra larg qytetit, në aksin Korçë-Ravonik. Punëtorët në fjalë kanë zbuluar rastësisht në një qese të zezë plastike pjesë të shkëputura nga trupi i një njeriu dhe konkretisht gjymtyrët, të cilat ishin futur në dy thasë plastikë. Të llahtarisur nga kjo skenë, ata i kanë telefonuar policisë, e cila ka nisur me ngut hetimet. Pas alarmit të bluve është ngritur grupi i punës, i cili ka vazhduar këqyrjen e vendit ku grumbullohen plehrat deri në agim. Vetëm në mëngjes është zbuluar veshja e viktimës dhe është bërë një identikit pjesor i saj. Gruaja e copëtuar mendohet të jetë 165 centimetra e gjatë, me një moshë rreth 35 vjeç, e bardhë. Rrobat e gjetura pranë trupit tregojnë se ajo ka qenë e veshur me një palë tuta sportive, material sintetik ngjyrë blu dhe me shiritat anash tyre, rozë dhe jeshile. Bashkë me tutat është gjetur edhe një kanotiere ngjyrë bojëqielli, me mbishkrimin “AC Original”. Veshjet e gjetura në vendin e grumbullimit të plehrave janë të përgjakura, çka e kanë bërë policinë të dyshojë se i përkasin viktimës.

4 zonat e dyshuara

Dhjetëra veprime hetimore janë kryer në 24 orët e fundit nga policia e Korçës, por ende asnjë rezultat. Sipas raportit paraprak të mjekësisë ligjore, kufoma është ekzekutuar vetëm një ose dy ditë më parë, ndërsa krimi mendohet të ketë ndodhur në brendësi të qytetit të Korçës. Kjo bindje vjen për faktin se makina e grumbullimit të plehrave ka lënë copat e ndara të trupit në ngarkesën e fundit të saj. Ato janë zbuluar vetëm pak minuta më vonë nga punonjësit e firmës së pastrimit. Nga ana tjetër, rrezja e kërkimit të bluve është përqendruar në disa lagje të qytetit, duke u bazuar tek itinerari i kamionit që transportonte plehrat. Burime nga grupi hetimor bëjnë të ditura për MAPO-n se makina ka grumbulluar mbetje në kazanët e lagjeve 4, 14, 15 dhe 16, që i korrespondojnë pjesës juglindore të Korçës. Kërkimet në këto lagje janë të shumta, ndërsa janë marrë në fokus të gjithë kazanët e këtyre lagjeve. Nga hetimet e deritanishme rezulton se autori i krimit makabër e ka hedhur trupin në njërin prej kazanëve të plehrave. Më pas, makina e firmës së pastrimit e ka marrë dhe e ka transportuar në vendin e grumbullimit hedhjes së tyre, ku edhe ka ngecur misteri i këtij krimi horror.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›