Alban Skënderaj: Pas turit të albumit, tani kam nevojë për pushime të qeta
“Ende ka shpresë” nuk është vetëm titulli i këngës që zuri vendin e dytë në Festivalin e fundit në RTSh. Nuk është thjesht titulli i albumit të tretë të kantautorit të suksesshëm Alban Skënderaj. Është më tepër se kaq! Është natyra e vetë albumit dhe kuraja që Skënderaj u jep të gjithëve me zërin dhe melodinë e tij. E në fakt e dëshmon këtë me çdo këngë të tij. Mjafton të klikoni në websitin e tij, për t’u njohur me përmbajtjen e albumit. Dhe keni për ta kuptuar. Sot Albani vjen në këtë intervistë për gazetën “Mapo” për të na treguar disa nga emocionet që përshkruan këtë promovim albumi në shumë qytete të Shqipërisë dhe Kosovës… Vështirësitë e tregut muzikor për të lançuar një album… Shpresën për të pasur sukses edhe përtej kufijve të vendit tonë… Dhe gëzimin se tashmë e presin disa pushime të bukura e të qeta me të dashurën e tij Miriam Cani.
Alban, keni realizuar të parin turne nëpër Shqipëri. Ishte I lodhshëm?
Ishte shumë i lodhshëm për faktin që datat ishin shumë afër njëra-tjetrës, por dhe çlodhës për faktin që ishte një kënaqësi tepër e madhe të bëja një turne të gjithën timen, një nga dëshirat e mia më të mëdha për promovimin e këtij albumi.
Cila është kënaqësia që ndjen një artist në këtë udhëtim promovimi?
Fakti që kthehesh më i freskët artistikisht e jo vetëm. Do këndoja plot këngë të reja për herë të parë para një publiku që ishte mbledhur vetëm për mua. Kjo të jep një energji të re e të bën të harrosh çdo lodhje.
“Ende ka shpresë” është albumi juaj i tretë. Si do ta përshkruanit këtë hap të karrierës suaj dhe si do ta komentonit përmbajtjen e albumit?
Për mua është një kulm që arrihet dhe një sfidë brenda vetes. Kam dhënë shumë pasion e energji në këtë album e shpresoj që kjo depërton dhe në këngët e mia. Mendoj që jam pjekur në mënyrën e duhur artistikisht, duke bërë çmos të ruaj krijimtarinë time fillestare, të pastër e të vërtetë. Ky album flet për gjithçka që është pjesë e jetës, me të mirat e të këqijat e saj. Është shumë me këmbë në tokë. Mendoj që të gjithë mund të gjejnë në një mënyrë apo një tjetër veten aty, por në fund në përgjithësi mbetet një album shpresëdhënës, si vetë titulli i tij. Kushdo mund të klikojë www.endekashprese.com dhe www.albanskenderaj.com për të gjetur këngët e reja.
Shpesh këngëtarët në Shqipëri ankohen se albumet nuk janë fitimprurës. Ju vetë, ua keni parë hairin albumeve?
Ky është një fakt që vlen për çdo artist në Shqipëri, pa përjashtim, sado i suksesshëm qoftë ai. Është për shkak të një tregu të vogël dhe të një sistemi e disa rregullave që nuk ekzistojnë. Gjithsesi, unë sakrifikoj maksimalisht që të eci përpara, sepse njëherë në disa vite dua t’i bëj një dhuratë dëgjuesve të mi që më mbështesin pa kursim prej vitesh tashmë. Dua të falënderoj dhe DIGITALB për bashkëpunimin, besimin dhe vlerësimin që ka ndaj meje çdo herë që unë dal me një projekt të ri, po ashtu dhe Raiffeisen Bank, që më ka lehtësuar me mbështetjen e saj në realizimin e këtij albumi.
A ka qenë i kushtueshëm albumi? Po në krahasim me albumet e tjerë?
Ka qenë goxha më i kushtueshëm se çdo gjë që kam bërë më parë, por kësaj radhe vendosa të bëj diçka profesionale, pa e kursyer veten dhe krijimtarinë time. Kështu u mundova që te çdo vegël të jetë ‘live’ dhe punova në disa studio të ndryshme për të nxjerrë më të mirën në gjithçka.
Për titull të albumit keni përzgjedhur këngën e duetit tuaj me të fejuarën, këngëtaren Miriam Cani. Vazhdoni të jeni të zhgënjyer nga festivali në RTSH, apo tashmë e keni harruar atë histori?
Kemi pak kohë dhe shumë ide për të ardhmen, për t’u dëshpëruar gjatë për një ngjarje të tillë. Ai ishte një zhgënjim momental dhe ne jemi një natyrë që çdo zhgënjim na ndihmon për t’u rritur e përmirësuar në çdo aspekt. Titulli i duetit tonë përfshin më së miri në tërësi natyrën e këtij albumi, plus faktit që është një këngë që unë e kam me të vërtetë për zemër.
Këtë këngë e keni publikuar edhe në anglisht. Version i saj në këtë gjuhë ka synim edhe tregun e huaj?
Kënga anglisht u bë paralelisht me versionin shqip, me shpresën që të përfaqësonim Shqipërinë me versionin anglisht, megjithatë ajo është një këngë që mund të funksionojë çdoherë dhe tregun europian kështu që nuk i dihet… ende ka shpresë (qesh)!
Alban, prej disa vjetësh jetoni në Gjermani. Si e shihni terrenin atje për të bërë një karrierë muzikore? Është e vështirë?
Është relative. Është shuuumë më e vështirë se në Shqipëri, kjo padyshim (qesh), por varet dhe nga sa ambicie dhe fat ke. Mbi të gjitha, duhet të jesh i gatshëm të sakrifikosh pothuajse gjithçka për karrierën!
Pas këtij turneu të gjatë koncertesh keni bërë plane për të pushuar dhe ku do të pushoni?
Jemi duke vendosur momentalisht, kemi disa ide. Me siguri diku jashtë Shqipërisë dhe mundësisht në një vend shuuumë të qetë mbas një vere me të vërtetë shuuumë të lodhshme.
Të gjithë pyesin se kur do të martoheni. Çfarë është martesa për ju?
Është shumë interesante që çdo intervistë mbyllet gjithmonë me këtë pyetje (qesh). Ne jemi shumë të lumtur dhe nuk na mungon asgjë momentalisht, siç e kemi thënë dhe herë të tjera. Ky është një proces natyral që ne nuk duam ta sforcojmë. Ne nuk e shohim martesën si një kurorëzim të dashurisë sonë, por si një gjë simbolike që nuk do e ndryshonte shumë realitetin tonë.