Vdes në qeli ish-i dënuari politik, i kapur me hashash, Burgjet: Do ta varrosë Bashkia
Tiranë Ish-i dënuari politik, i arrestuar pak ditë më parë me hashash, ka ndërruar jetë në qelitë e burgut 313 në Tiranë. 54-vjeçari Haxhi Kurushi ka vdekur mbrëmjen e së enjtes, duke mos i bërë ballë një arrestimi të dytë, pas 17 vitesh vuajtje në qelitë e komunizmit.
Burime nga Drejtoria e Burgjeve bëjnë të ditur se bëhet fjalë për një vdekje natyrale, pasi, sipas tyre, Kurushi vuante nga një sërë sëmundjesh. Trupi i pajetë i të ndjerit është konstatuar nga gardianët e burgut, të cilët e kishin thirrur 54-vjeçarin, por nuk kishin marrë asnjë përgjigje prej qelisë së tij. Pasi kanë hapur derën, kanë konstatuar se ai kishte ndërruar jetë. Trupi i Kurushit është dërguar menjëherë në Institutin e Mjekësisë-Ligjore, ku i është kryer dhe autopsia, përgjigjet e së cilës pritet të dalin gjatë javës së ardhshme. Sipas të dhënave paraprake, në trupin e Kurushit nuk kishte asnjë dëmtim, që mund të çonte në ngritjen e dyshimeve për një vetëvrasje. Të kontaktuar nga gazeta MAPO, zyrtarë të Drejtorisë së Burgjeve bënë të ditur se Kurushi që në momentet e para të hyrjes në qeli kishte shfaqur probleme me shëndetin. Nga ana tjetër, zyrtarë të Burgjeve bëjnë të ditur se asnjë i afërm i ish-të dënuarit politik, që vitet e demokracisë i shtynte si endacak, nuk është paraqitur pranë Burgut 313, apo pranë Institutit të Mjekësisë-Ligjore për t’u interesuar në lidhje me trupin e pajetë. Të njëjtat burime bëjnë të ditur se me të gjitha gjasat, varrimi i tij do të kryhet nga ana e Bashkisë, pasi asnjë i familjar nuk është paraqitur për të marrë trupin nga morgu. 54-vjeçari Kurushi u arrestua pak ditë më parë nga policia e Tiranës, pasi iu gjetën disa doza hashashi me vete. Në kontrollin e një barake, ku ai kalonte netët, policia gjeti edhe një sasi tjetër hashashi, që në total kapte peshën e 3.6 kilogramëve. Por ish-i dënuari politik refuzoi para gjykatës të merrej me tregtinë e lëndës narkotike. Ai pohoi para gjykatës se frymën e mbante gjallë me kanoçet që mblidhte në koshat e plehrave, ku, sipas tij, kishte gjetur edhe hashashin. “Qeset me hashash i gjeta në një kosh plehrash dhe i kam marrë. Nuk e shisja, por e pija për vete”. Këto kanë qenë fjalët e fundit që Haxhi Kurushi ka thënë përpara Gjykatës së Tiranës, vetëm pak ditë më parë, kur ky i fundit ishte paraqitur për t’u njohur me masën e sigurisë. Edhe gjatë kësaj seance u vu re se Haxhi Kurushi kishte probleme të dukshme me shëndetin, aq sa kishte vështirësi për të qëndruar në këmbë. Pavarësisht pretendimeve të ngritura prej tij në lidhje me sasinë e lëndës narkotike, Gjykata vendosi që ky i fundit të qëndronte në qelitë e paraburgimit. Haxhi Kurushi u arrestua një javë më parë në afërsi të Rrugës së Elbasanit, ku në momentin e arrestimit atij i janë bllokuar 5 qese farmacie me hashash, ndërsa gjatë kontrollit që i është ushtruar në banesë janë gjetur dhe 101 qese të tjera, të cilat në total kapin peshën e 3.6 kg lëndë narkotike.