Donika Kadaj-Bujupi kandidate për kryetare të AAK-së për Istogun

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, e ka nominuar sot zyrtarisht Donika Kadaj-Bujupi kandidate të AAK-së për kryetare të Komunës së Istogut, në garën për zgjedhjet e ardhshme lokale në vend.
Kryetari Haradinaj e ka nominuar deputeten e AAK-së në dy mandate, Kadaj Bujupi, pas një takimi me strukturat më të larta drejtuese të Degës së AAK-së në Istog.
Në mbështetje të kandidaturës së Kadaj-Bujupi, ishin të pranishëm edhe intelektualë të shquar dhe ekonomistë të njohur të komunës së Istogut.
“Kryetari Haradinaj, duke e uruar kandidaten Kadaj-Bujupi, ka thënë se kandidatura e saj është garancë për fitore të sigurt të AAK-së në Istog dhe për një qeverisje të mirë, në drejtim të zhvillimit ekonomik dhe mirëqenies së gjithanshme për mbarë qytetarët e Istogut”, thuhet në një deklarat për media të AAK-së.
Donika Kadaj-Bujupi, ka shprehur vendosmërinë e saj që t’i çojë më tej vizionin e kryetarit Haradinaj dhe të platformës së AAK-së për një qeverisje të denjë për Istogun dhe istogasit në përgjithësi.
“Përkrahja dhe besimi i liderit Haradinaj dhe ftesa e qytetarëve të Istogut, që t’i prijë komunës, edhe më tepër e përforcon besimin tim dhe rritë angazhimin për zgjidhje të cilat do të ofrojnë ndryshime për komunën, për qytetarët e Istogut dhe për çdo familje veç e veç, te cilët pas këtyre zgjedhjeve në katër vitet e ardhshme do të jenë pjesë e progresit që do të lë gjurmë në jetët e tyre dhe në një mandat të ri qeverisës, ka thënë Donika Kadaj-Bujupi.
Ajo ka thënë se që nga dita e parë e punës në krye të Komunës së Istogut, do të angazhohet me përkushtimin më të lartë për një jetë më të mirë e më të dinjitetshme të qytetarit istogas, pa dallim regjioni apo përkatësie partiake.
“Sfida ime për vendin tim Istogun, është sfida më e dinjitetshme dhe më e dashur në karrierën dhe veprimtarinë time politike, ka thënë Donika Kadaj-Bujupi. /Indeksonline/