E Diel, 1 Nëntor 2026

Hoti: Të ringrihet shtëpia- muze e Gurakuqit, shkatërrimi i saj është i turpshëm

Shqiptarët nuk mund ta gëzojnë dot as edhe në këtë vit jubilar shtëpinë muze të Luigj Gurakuqit. E kaluar në disa duar, ajo u rrënua duke e lënë Shkodrën dhe Shqipërinë pa njërën nga trashëgimitë e saj me të mrekullueshme.

Studiuesi i rilindësit, profesor Vehbi Hoti kritikon mosvlerësimin e patriotit në këtë 100- vjetor të Pavarësisë. Në një intervistë për gazetën Shqip, Hoti kërkon që shtëpia muze e Gurakuqit të ringrihet. Ishte tepër e dhimbshme, e palejueshme dhe e turpshme shkatërrimi i shtëpisë së Luigj Gurakuqit dhe i muzeut që ishte në mjediset e saj, thotë Hoti. Sipas tij, është përgjegjësi e organeve të pushtetit vendor dhe qendror që të mbajnë përgjegjësi për lejimin e prishjes së një institucioni të mbrojtur nga ligji dhe shteti.

Është me vend që në këtë 100- vjetor të theksohen me forcë meritat e kontributet e Luigj Gurakuqit si një nga figurat më madhore e më të spikatura për jetën e historinë e kombit Shqiptar, vijon Hoti. Ai bën thirrje se nëse në arkivat apo në qendrat e Monumenteve të Kulturës ekziston projekti i kësaj shtëpie, të merren masat e duhura për ta ringritur këtë shtëpi muze si një dhuratë të bukur me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë.

Figura e tij është një amanet i historisë, thotë ai, duke ftuar Akademinë e Shkencave, institucione të tjera studimore , Universitetin e Shkodrës etj, për njohjen e kontributit dhe botimin e plotë të veprës së Gurakuqit.

Prof. Dr. Vehbi Hoti është një ndër njohësit e studiuesit e Luigj Gurakuqit, të cilit i ka kushtuar monografinë Luigj Gurakuqi për shkollën shqipe dhe arsimin kombëtar.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›