Nuk kam energji unë? As ju nuk do keni!
Qyteti i Kukësit, spitali i rëndësishëm rajonal si dhe dogana e Morinës kanë mbetur pa energji elektrike pasi një grup personash nga një fshat pranë qytetit, sulmuan nënstacionin elektrik. Personat hynë me dhunë në nënstacion si protestë ndaj faktit që fshati i tyre Breglumë nuk ka energji elektrike, pasi ajo u është ndërprerë pasi kanë shumë vite që nuk paguajnë energjinë.
Me ndërhyrjen e policisë, banorët janë nxjerrë jashtë nënstacionit. Edhe pse pranojnë se janë debitorë të energjisë, banorët thonë se ata nuk do paguajnë nëse qeveria nuk i dëmshpërblen për tokat e përmbysura nga hidrocentrali i Fierzës. Kjo çështje del e ridel gjithmonë në skenë kur banorët bëjnë ndonjë veprim të tillë kriminal.
Ajo që është shqetësuese është se në fakt nuk janë vetëm këta banorë që veprojnë sipas parimit nuk kam energji unë, as ti nuk do kesh. Ky është bërë një problem i rëndë në zonën verilindore, e cila prej shumë vitesh nuk paguan faturat e energjisë elektrike, duke u fshehur shpesh pas faktit se janë zonë e varfër.
Çudia është se në vendin që sipas Berishës ka të ardhurat të mesme të larta, nuk paguhet energjia.
Këto zona natyrisht janë më të varfrat në vend, por janë edhe votuesit e kahershëm të PD, të cilët në njëfarë mënyre njësoj si në Lazarat kanë fituar njëfarë imuniteti për të mos paguar fatura.
Natyrisht aty ka shumë familje të varfra dhe ato duhen subvencionuar, por ka edhe familje, që siç vërente një media e huaj para disa kohësh, kanë shtëpi trekatëshe dhe Benz-a dhe nuk paguajnë dritat.
