Hoxha: Miratimi i rezolutës në mbështetje të integrimit, konfirmim i rrugës së drejtë që Shqipëria po ndjek

TIRANË, 14 maj/ATSH/ Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha reagoi sot duke përshëndetur miratimin me votat e shumicës dhe opozitës parlamentare të rezolutës në mbështetje të procesit të integrimit.
Përmes një postimi në rrjetin social “X”, kryediplomati shqiptar u shpreh se “miratimi (me thuajse unanimitet – vetëm një abstenim) i rezolutës në mbështetje të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian përbën një moment me rëndësi të veçantë politike dhe kombëtare”.
“Ai është një shenjë e qartë e pjekurisë politike dhe demokratike, një konfirmim i rrugës së drejtë që Shqipëria ka zgjedhur dhe po ndjek, si edhe një tregues domethënës i mbështetjes së gjerë dhe të qëndrueshme që gëzon rrugëtimi evropian i vendit në të gjitha nivelet e shoqërisë dhe politikës”, u shpreh Hoxha.
Ministri Hoxha theksoi në fund se “anëtarësimi në Bashkimin Evropian mbetet një objektiv strategjik kombëtar që na bashkon përtej dallimeve politike, në funksion të ndërtimit të një të ardhmeje të përbashkët evropiane për vendin dhe qytetarët tanë”.