E Diel, 1 Nëntor 2026

Shehu: Artikulli i Ramës në gazetën gjermane cenon interesat rajonale të Shqipërisë dhe Kosovës

TIRANË, 14 maj /ATSH/ Deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu, deklaroi në Kuvend se artikulli i përbashkët i Kryeministrit Edi Rama dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiç, i publikuar në një gazetë gjermane në muajin shkurt të këtij viti cenon interesat strategjike të Shqipërisë, Kosovës dhe faktorëve shqiptarë në rajon.

Gjatë fjalës së tij, Shehu theksoi faktin se kërkoi interpelancë me Kryeministrin Rama lidhur me këtë çështje, duke e konsideruar të gabuar përfshirjen e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme në një artikull, për të cilin sipas tij, institucioni nuk ka pasur dijeni.

“Ky veprim është i gabuar, sepse në mënyrë të padrejtë përfshihet Ministria e Jashtme e Shqipërisë në një artikull që bie ndesh me parimet e integrimit evropian të vendit tonë”, u shpreh Shehu.

Sipas deputetit demokrat, artikulli i publikuar më 2 shkurt 2026 nga Rama dhe Vuçiç propozon një qasje të re për integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, duke hequr dorë nga anëtarësimi i plotë dhe duke u mjaftuar me integrimin në tregun e brendshëm dhe zonën Schengen.

“Në këtë artikull, ata kanë bërë një propozim publik drejtuar BE-së për një qasje të re në procesin e zgjerimit drejt vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke hequr dorë nga anëtarësimi i plotë i menjëhershëm dhe duke u vetëmjaftuar me një integrim të vendeve kandidate vetëm në një treg të brendshëm dhe në zonën Schengen. Ky qëndrim i Ramës bie në kundërshtim me të gjitha qëndrimet historike prej vendosjes së demokracisë në vendin tonë. Ky artikull, me ato që shpreh, shkel parimet e kuadrit negociues Shqipëri-BE, që përbëjnë një angazhim kontraktual me BE-në, dhe, më e rëndësishmja, cenon interesat strategjike të integrimit të Shqipërisë, Kosovës dhe faktorit shqiptar në rajon”, tha ai.

Shehu theksoi se “të dy bashkautorët kërkojnë të fusin nga dritarja në familjen evropiane qeverisjen e tyre anadollake, ndërkohë që hyrja nga porta do të ishte e pamundur pa realizuar thelbin e parimeve evropiane”.

“Por, kjo për ta është e pamundur, sepse do të kërkonte fundin e pushtetit të tyre. Ata kalojnë në akrobaci që krijojnë krizën e tyre të thellë në marrëdhënie me Brukselin, prandaj edhe Brukseli e hodhi poshtë këtë artikull”, përfundoi Shehu.

/e.i/j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›