E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Dogjani: Shifra alarmante të vrasjeve, pasiguri tek qytetarët

TIRANË, 13 shkurt /ATSH/ Deputeti i Partisë Demokratike, Asllan Dogjani në paraqitjen e interpelancës së kërkuar prej tij me ministrin e Mbrojtjes Ervin Hoxha tha se “vala e vrasjeve ka pllakosur vendin dhe rreziku më i madh i kësaj situate vjen nga drejtimi i këtij vendi nga ai që i jep dorë krimit”.

Ai vuri në dukje se e ka kërkuar këtë interpelancë për rrezikun e madh të grupeve kriminale dhe vrasjeve që janë rritur.

“Rreziku më i madh i krimeve nuk vjen nga grupet kriminale por nga ai që i drejton ato. Vetëm gjatë vitit 2024 numri i krimeve ka arritur shifra alarmante duke lënë qytetarët në frikë, panik dhe pasiguri dhe vrasësi kryesor është ai që i jep dorë dhe pushtet krimit”, tha Dogjani.

“Rama e ka kthyer Ministrinë e Brendshme në një vegël për pushtetin e tij. Si mund të mbani përgjegjësi, kur keni kryeministër që jeton si monark”, u shpreh ai.

“Vrasjet ndodhin në lokale në rrugë të mbushura me kalimtarë, terrori ka mbuluar çdo cep të Shqipërisë. Krimi në Shqipëri nuk është thjesht një problem, është një katastrofë kombëtare. Ky vend është kthyer në vend lufte. Shteti ka dështuar totalisht në garantimin e sigurisë së qytetarëve sepse qeveria është aleate e krimit”, tha Dogjani.

Ai vuri në dukje se vetëm në një muaj numërohen 7 të vrarë dhe dhjetëra të plagosur. Viti 2024 u mbyll me 50 të vrarë.

Dogjani u shpreh se, shteti është bërë bashkë me krimin dhe mundohet të fshehë ngjarjet e vrasjeve.

“Kriminelët kanë kryer vrasje më mënyrë brutale pa pasur frikë nga pasoja duke dëshmuar një sistem të dështuar të rendit dhe ligjit. Ky vend është kthyer në zonë lufte, mafia dhe bandat vrasin pa frikë se do ndëshkohen dhe duke u mbrojtur edhe nga instancat shtetërore. Shteti ka dështuar, se qeveria nuk është më armiku i krimit, por aleati i tij”, tha Dogjani. /j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›