Prokuroria sekuestron pasuritë e Thoma Marinës
TIRANË- Njësia e task-forcës pranë Prokurorisë së Tiranës urdhëron 19 filialet e bankave që ndodhen në Shqipëri për verifikimin dhe bllokimin e llogarive bankare të oficerit të policisë gjyqësore në prokurorinë e Durrësit, Thoma Marina dhe pjesëtarëve të familjes së tij. Ky fakt bëhet i ditur nga burimet zyrtare pranë organit të akuzës, të cilët shtuan se përveç verifikimit dhe bllokimit të llogarive bankare është kërkuar edhe nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe atyre të Tatimeve për evidentimin dhe bllokimin e pasurisë apo bizneseve që ai disponon. “Nga hetimet e deritanishme, kemi arritur të faktojmë se oficeri Thoma Morina ka kryer veprën penale të korrupsionit pasiv dhe shpërdorimit të detyrës. Këto dy vepra penale i arrestuari Morina i ka konsumuar gjatë bisedave telefonike, takimeve mes tij dhe denoncuesit si dhe në momentin e marrjes së parave të kryer me anë të dorëzimit të kontrolluar me vendim të Gjykatës së Tiranës”- thuhet nga prokuroria.
Sipas akuzës, tre ditë më parë institucioni i prokurorisë ka urdhëruar forcat e policisë të kryejnë arrestimin në flagrancë të oficerit Morina gjatë marrjes së parave që i dorëzonte tek oficeri qytetari ankues për një çështje pronash. Mësohet se shuma prej 10 mijë euro është siguruar nga prokuroria e Tiranës dhe policia e shtetit, pas denoncimit të qytetarit. Sipas akuzës, dy javë më parë, një banor i qytetit të Durrësit është paraqitur në prokurori për të kryer një kallëzim. Ai është takuar me oficerin e policisë gjyqësore Thoma Morina, i cili mori në dorëzim çështjen. Denoncuesi i ka shpjeguar Morinës së në tokën e tij janë ndërtuar dy shtëpi. Burime nga policia thanë se denoncuesi kishte deklaruar se pronarët e shtëpive nuk e kishin blerë tokën e tij dhe kishin kryer ndërtime pa leje. Pasi ka studiuar çështjen oficeri i policisë gjyqësore, Morina, ka kërkuar të bëjë një marrëveshje me denoncuesin. Ai dyshohet t’i ketë kërkuar denoncuesit një shumë parash kundrejt favorizimit që do t’i bënte në gjykatë. “Nëse me jep 10 mijë euro çështja kur të shkojë në gjykatë do të kalojë në favorin tënd”,- mendohet që t’i ketë thënë Morina, qytetarit. Ky i fundit, i bindur se çështjen do ta fitonte edhe pa dhënë ryshfet, ka denoncuar oficerin e policisë gjyqësore.