E Diel, 1 Nëntor 2026

Hoxhaj: Kabineti qeveritar i Serbisë, antieuropianë

Ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj, ka deklaruar se njerëzit e Qeverisë së re në Serbi janë antieuropianë dhe antidemokratikë, e që kanë udhëhequr luftëra në dy dekadat e fundit. Megjithëkëtë, ai ka thënë se Prishtina do të sillet me Beogradin varësisht nga politika e saj karshi Kosovës, Ballkanit dhe BE-së.
 

Pas votimit të Qeverisë së re në Serbi, Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se me këtë rast qytetarët serbë janë kthyer në vitet e errëta 90-të, ku të njëjtat parti kanë udhëhequr luftërat në vendet e rajonit.
 

Sipas Hoxhaj koalicioni i Nikolic dhe Ivica Dacic duhet të fokusohet në kufijtë e Serbisë dhe të ndjekë rrugën europiane e jo të merret me Kosovën.
 

“Një koalicion i tillë politik është një koalicion i luftës së 90-ës, padyshim një koalicion antidemokratik dhe antieuropian dhe është një koalicion që para njëzet vitesh dhe në vitet e mëvonshme ka udhëhequr luftëra kundër Kroacisë, Bosnje e Hercegovinës dhe Kosovës”, ka thënë Hoxhaj të premten.
 

“Kjo Qeveri për shkak të një të kaluare të errët të tyre do të duhej ta kuptonte njëherë e përgjithmonë se fati politik i Serbisë është brenda kufijve të saj dhe jo jashtë kufijve të saj”, ka shtuar ai.
 

Ministri i Jashtëm ka thënë se do ta vlerësojë Qeverinë e re në Beograd varësisht se çfarë qëndrimi mban ajo në raport me Republikën e Kosovës, Ballkanin dhe Europën.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›