E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hoxhaj: Kosova, prioritet i mbështetjes daneze

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, në ditën e parë të vizitës në Danimarkë ka takuar Ministrin për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar, Christian Friis Bach.

Ministri Hoxhaj fillimisht ka falënderuar Ministrin Bach për mbështetjen e Danimarkës në konsolidimin e brendshëm dhe të jashtëm të Republikës së Kosovës.

Nga ana tjetër, Ministri për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar, Christian Friis Bach, ka siguruar Ministrin Hoxhaj se Republika e Kosovës do të jetë shteti përfitues më i madh në Evropën Juglindore nga mbështetja financiare e Danimarkës.

Mbështetja e Danimarkës kryesisht do të përqendrohet në sektorin e Bujqësisë, Arsimit, Energjisë së Ripërtërishme etj.

“Si vendi me bujqësinë më të zhvilluar në Bashkimin Evropian, Danimarka do të mbështetë Republikën e Kosovës në fushën e bujqësisë. Kjo është një mbështetje e drejtpërdrejt për zhvillimin e sektorit të bujqësisë dhe zhvillimit ekonomik në Kosovë”, ka theksuar Ministri Hoxhaj.

Ndërsa, në sektorin e Arsimit, Danimarka edhe më tutje do të mbështesë projektet e Qeverisë së Kosovës në fushën e arsimit profesional.

Ministri danez, Bach ka siguruar Ministrin Hoxhaj se Danimarka do ta mbështes Republikën e Kosovës përmes shkëmbimit të përvojave dhe në projekte konkrete në fushën e Energjisë së Ripërtërishme.

Ministri Hoxhaj pasdite do të takohet me Ministrin e Punëve të Jashtme të Danimarkës, Villy Søvndal.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›