Clinton do kërkojë nga Kosova e Serbia tejkalimin e dallimeve te hidhura

Clinton, që së pari do ndalet për bisedime të hënën në Algjeri, mbi krizën politike në Mali, do të bashkohet me shefen e diplomacisë evropiane, Catherine Ashton si pjesë e vizitës së saj në Ballkan, ku të dyjat pritet të shtyjnë përpara një integrim më të madh.
Shefja e diplomacisë amerikane do të vizitojë së pari Bosnjen, shteti ballkanik, që duhet të aplikojë për anëtarësim në BE, por, që zyrtarisht kandidaturën do ta dorëzojë në fund të këtij viti.
Shteti mbetet thellë i ndarë në vija etnike, derisa liderët serbë të Bosnjes kërcënojnë me ndarje.
“Ne nuk jemi treguar të ndrojtur për ta thënë dhe qartësuar se jemi të zhgënjyer, se liderët e Bosnjes dhe Hercegovinës nuk i kanë vendosur interesat e shtetit të tyre së pari, dhe në vend të kësaj kanë promovuar partitë dhe grupet etnike dhe agjendat e tyre personale”, ka thënë një zëdhënës i Departamentit Amerikan të Shtetit, që ka dashur të mbetet anonim.
“Mendoj se mesazhi nga sekretarja Clinton dhe Përfaqësuesja e lartë, Ashton do të jetë… se dëshirojmë ta shohim atë të bëhet anëtare e BE/NATO-s, por, neve na duhen reformat e domosdoshme”, është shprehur zëdhënësi.
Clinton për herë të fundit ka vizituar Bosnjesn, sikurse edhe Serbinë e Kosovën, në vitin 2010.
Pa Ashtonin, ajo do ta përfundojë vizitën e saj në Shqipëri dhe Kroaci, të cilat iu bashkuan NATO-s në vitin 2009.
Nga gjashtë ish vendet jugosllave, vetëm Sllovenia iu ka bashkuar BE-së në vitin 2004, ndërsa Kroacia pritet të behët anëtare në muajin korrik.
Zagrebi është një shembull për pjesën tjetër të rajonit”, ka thënë zyrtari i DASH-it.
“Kjo është një gjë e rëndësishme dhe ne theksojmë, se kjo është diçka të cilën e ka mbështetur gjatë SHBA, por edhe mesazh për rajonin”, ka thënë zyrtari.
“Po është vështirë, reformat janë të vështira, rruga për anëtarësim është e gjatë, dhe nëse bëni gjënë e duhur, dhe zbatoni atë, për të cilën jeni pajtuar, ju aktualisht keni kaluar vijën përfundimtare”.
Ky mesazh, shkruan AFP, iu drejtohet kryesisht, armiqve të hidhur, Serbisë dhe Kosovës.
Bisedimet në mes të Prishtinës dhe Beogradit, të lansuara në mars të 2011, nën ndërmjetësimin e BE-së, janë pezulluar pas zgjedhejve të majit në Serbi, në të cilat dolën fituese forcat nacionaliste.
Më herët në këtë muaj, Ashton organizoi një takim të lartë të kryeministrave të të dy vendeve.
BE dhe Uashingtoni iu kërkojnë që të dy vendeve, të rinisin zyrtarisht bisedimet, derisa Serbia shpreson të fitojë datën për nisjen e negociatave për antarësim me BE-në.
Serbia nuk e njeh shtetin e pavarur të Kosovës, derisa, kryeministrat e të dy vendeve, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq janë deklaruar për normalizim raportesh mes shteteve.
Presidenti serb, Tomislav Nikoliq ka thënë javën e kaluar se Beogradi është “i gatshëm të bëjë një mori kompromisesh për të zgjidhur çështjen e Kosovës, por që pret të njëjtën edhe nga shqiptarët”.
Kosova ka shpallur pavarësinë pas një dekade të konfliktit brutal në mes të shqiptarëve të Kosovës dhe forcave të Serbisë, i cili përfundoi me ndërhyrjen e NATO-s në vitin 1999.
Bashkëshorti i Hillary Clinton-it, Billi, ka qenë president amerikan në atë kohë, dhe çifti trajtohet si heronj në Kosovë. Një statujë e Bill Clinton-it është ngritur në një nga rrugët kryesore të Prishtinës.