E Diel, 1 Nëntor 2026

Jahjaga viziton Rahovecin dhe Hoqën e Madhe

Presidentja Atifete Jahjaga të martën vizitoi Rahovecin dhe Hoqen e Madhe në mënyrë që të njihet për së afërmi me aktivitetet, projektet si dhe me problemet dhe vështirësitë me të cilat ballafaqohet kjo komunë. Jahjaga me këtë rast premtoi përkrahje të fuqishme për Komunën e Rahovecit.

“Jam këtu për të parë për së afërmi të gjitha aktivitetet si dhe problemet dhe vështirësitë me të cilat ballafaqohet komuna dhe njerëzit. Ju ofroj përkrahjen dhe mbështetjen time të fuqishme si presidente e vendit, gjithmonë duke respektuar kushtetutën dhe ligjet e vendit dhe gjithmonë duke pasur parasysh që të ofrojmë shërbime më të mira për qytetarët tanë në të gjitha komunat e Kosovës”, tha Jahjaga.

Ndërkaq, kryetari i Komunës së Rahovecit Smajl Latifi tha se vizita e presidentes dëshmon më së miri se do të vazhdojë përkrahja dhe mbështetja për institucionet e pushtetit lokal të Komunës së Rahovecit.

“Ne gjithsesi do të vazhdojmë të punojmë dhe të krijojmë klimë të përshtatshme dhe të investojmë në vepra konkrete, në dobi dhe interes të qytetarëve të komunës pa dallim, përfshirë dhe qytetarët e Hoqës së Madhe. Ne apeluam që të fuqizohet mbështetja konkrete për komunën e Rahovecit” tha Latifi.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›