Miletiq: Beogradi të heqë dorë nga iluzionet për ndarjen e Kosovës

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, edicionin ne gjuhën serbe, Miletiq ka porositur Beogradin se duhet të heqë dorë nga iluzionet se mund ta kthejë ose ndajë Kosovën.
"Mbi statusin e Kosovës", thotë Miletiq, "nuk do të bisedohet sepse mbi këtë çështje përfundimisht është vënë pikë".
Ndaj liderëve në Beograd ai replikon duke thënë se është shumë më lehtë të merresh me çështjen e statusit të Kosovës, studimin edhe të Tirolit Jugor, të Ishujve Okland, të dy Gjermanive, të gjermanëve në Belgjikë, të gjitha këtyre ideve të cilat tashmë diku janë zbatuar, sesa të merresh me problemet reale të njerëzve në terren.
Në konstatimin se sekretari i jashtëm britanik Hejg tha në Prishtinë se harta e Evropës është përcaktuar dhe nuk mund të ketë ndryshime të kufijve dhe a nuk është kjo edhe një porosi për autoritetet e Beogradit se nuk ka ndarje të Kosovës, Miletiq tha se ajo që tha Hejg, Grupi Ndërkombëtar i Kontaktit e ka thënë qëmoti.
“Neve na është e qartë me siguri tashmë nja dhjetë vjet – se nuk ka kthim në të vjetrën, se nuk ka ndryshim të kufijve dhe se nuk ka bashkim me shtetet e tjera. Kjo sa i përket Kosovës, qëmoti është e qartë, dhe tregimet për ndarjen e Kosovës janë të dëmshme , prandaj janë joreale”, tha Miletiq, siç transmeton QIK.