E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hoxhaj: Kosova synon OKB-në

Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, në një intervistë për të përditshmen prestigjioze turke “Hürriyet”, ka thënë se Kosovën tashmë e kanë njohur pothuajse gjysma e shteteve anëtare të OKB-së.

“Këtë vit, çdo muaj kemi pranuar nga një njohje nga vende të ndryshme të botës. Ne jemi duke punuar shumë për të rritur numrin e njohjeve, në të njëjtën kohë synojmë anëtarësimin e Kosovës në organizata të ndryshme ndërkombëtare. Kosova tashmë është anëtare e Bankës Botërore, Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe së fundi edhe anëtare e BERZH-it”, ka thënë Hoxhaj.

Ministri Hoxhaj në intervistë ka bërë të ditur se Kosova synon të anëtarësohet në Kombet e Bashkuara dhe se një hap të tillë strategjik do ta ndërmarrë pas bisedave me miqtë dhe partnerët e saj.

“Ne do të flasim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britaninë e Madhe, Francën, Gjermaninë, Turqinë dhe partnerë e tjerë euroatlantik, të cilët na kanë mbështetur masivisht në vitet e kaluara”, ka shtuar Hoxhaj, raporton RTK.

Duke folur për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, ai ka pohuar se Kosova është e interesuar që të mbyll kapitullin e errët të historisë me Serbinë dhe të krijojë një relacion normal dhe një bashkëpunim bilateral.

Hoxhaj ka folur edhe për fillimin e implementimit të Marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufijve (IBM).

“Me këtë marrëveshje, Serbia ka njohur kufijtë e Kosovës”, ka thënë kryediplomati kosovar, duke paralajmëruar dërgimin e një Ambasadori të Republikës së Kosovës në Beograd./Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›