Gjimnazistët mblidhen te Qeveria për Veriun

Nuk pyetën arsimtarët për një veprim që do ta bëjnë të enjten në orën 13.
Gjimnazistët e kryeqytetit vendosën që në këtë kohë të marshojnë kundër planeve që po ofrohen për veriun e Kosovës.
“Na thuhet çdo ditë me deklarata boshe se veriu është pjesë integrale e vendit ndërsa atje funksionojnë strukturat kriminale paralele të Beogradit, njerëz të thirrur e të pa thirrur na flasin për plane të ndryshme për veriun, njëri thotë status special , një tjetër propozon komune me plan Ahtisari +”, ka thënë Granit Kadria nga këshilli organizativ i marshit.
Të gjithë ata që do ta përkrahin këtë marshim, organizatorët treguan edhe rrugën nëpër të cilën do të ecin.
Ata do të mblidhen në oborrin e Qendrës së Studentëve dhe prej aty do të nisen në drejtim të Fakultetit Filologjik. Më pas do të drejtohen drejt sheshit Nëna Tereze, për të përfunduar para Qeverisë së Kosovës./Indeksonline/