Kërkohet më shumë angazhim për të pagjeturit

Serbia duhet të tregojë rreth lokacioneve të varrezave për të vrarët gjatë luftës. Kjo gatishmëri duhet të tregohet gjatë procesit të dialogut që po zhvillohet ndërmjet dy vendeve. Vlerësimet u bën në mbledhjen e fundit për këtë vit të Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur.
Komisioni Qeveritar për Persona të Pagjetur vazhdon të këmbëngul për më shumë angazhim të institucioneve për zbardhjen e fatit të të pagjeturve nga lufta. Kryetari i komisionit, Prenk Gjetaj theksoi se institucionet e Kosovës duhet ta ngrisin këtë çështje në dialogun me Serbinë.
“Gjatë këtij viti jemi përballur me shumë sfida dhe tani jemi në atë fazën e atyre rasteve kur mungojnë informacionet, mirëpo ne përpiqemi që në të vërtetë çdo informacion të besueshëm ta përpunojmë dhe ta realizojmë ”, tha Gjetaj.
Kryetarja e Komisionit Parlamentar për Persona të Pagjetur, Suzana Novobërdali tha se Serbia duhet të tregojë lokacionet e varrezave të personave të pagjetur, rpaorton RTK.
“Kam kërkuar që t’i jepet peshë më e madh në bisedimet me Serbinë, sepse ata mund të tregojnë se ku gjinden vendet dhe të tregojnë gatishmëri bashkëpunimi në këtë drejtim”, tha Novobërdali.
Ndërkaq, anëtari i Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur, Agim Qerkini ka fajësuar mekanizmat vendorë dhe ndërkombëtarë se nuk bëjnë sa duhet në hulumtimin e varrezave masive në pjesën veriore të Mitrovicës.
“ Në Mitrovicë thuhet se gjendja politike është pengesë dhe nuk mund të hulumtojmë për të pagjeturit. Qe 10 vjet është thënë regjistri i 11 lokacioneve në Mitrovicë. A keni bërë ju diçka si anëtarë të Komisionit Parlamentarë, për të ngritur zërin dhe për të thënë se nuk ka siguri në veri”, tha Qerkini.
Që nga përfundimi i luftës në Kosovës vazhdojnë të konsiderohen të pagjetur edhe 1762 persona, nga gjithsej 6020 sa kanë qenë pas përfundimit të luftës.